Në protestën e organizuar nga Rithemelimi para Kuvendit ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit kanë hedhur kapsollë dhe kanë ndezur flakadanë para ambienteve të parlamentit.
Dhjetëra qytetarë me pankarta në duar, janë grumbulluar në mbështetje të kauzës opozitare.
“Nuk na trembni, nuk na pakësoni”- është një nga shkrimet në pankartat e qytetarëve pjesëmarrës në protestë.
Ndërkohë në hyrje të Kuvendit ka përplasje mes deputetëve të opozitës dhe anëtarëve të Gardës së Republikës, pasi disa ligjvënës nuk lejohen të hyjnë në Parlament, për shkak se janë përjashtuar.
Opozita ka paralajmëruar përshkallëzim të aksionit, me pretendimin se të drejtat e saj në Kuvend janë nëpërkëmbur nga mazhoranca.
Pas vendosjes së ish-kryeministrit Sali Berisha në arrest shtëpie, janë mbajtur disa tubime me përmasa të vogla nga ana e opozitës, kryesisht poshtë banesës së tij.