Ish-ministri Fatmir Mediu ka thënë për mediat se ka pritur 16 vite që të pyetet nga prokuroria për çështjen, por askush nuk e ka bërë.
“Secili të vijë e të mbajë qëndrim mbi punën e ministrisë. Mos zgjedhin heshtjen sepse me dëshmitë duhet të hidhen dritë. Do konsultohem me avokatët, kam pritur mbi 16 vite që të pyetem nga prokuroria, por nuk ka denjuar të më pyesë mbi çështjen”, u shpreh ai.
Mësohet gjithashtu se Gjykata ka thërritur dëshmitaren Anjola Agolli, sekretare e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, ndërsa gjithashtu ka kërkuar thirrjen e Mihal Deljorgjin dhe Dritan Minxolli.
Mediu është nën hetim për çështjen e “Gërdecit”. Më herët ish-ministri ka thënë se drejtësia nuk mund të jetë kurrë e drejtë, nëse bën një padrejtësi të re, ndërsa ka hedhur akuza ndaj procesit gjyqësor, që e cilëson të paligjshëm. Sipas tij asnjë nga dëshmitarët në proces, nuk ka folur kundër tij.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë.