Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në Greqi, ku trupi i djegur i biznesmenit Christos Gialia është gjetur brenda një makine në Mandra të Atikës, ndërsa në zonë më parë ishin dëgjuar të shtëna.
Sipas mediave greke, në orën 18:45 janë njoftuar autoritetet policore për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Agia Aikaterini” në Mandra. E para në vendngjarje ka mbërritur zjarrfikësja për të shuar mjetin e djegur. Brenda automjetit, i cili ishte marrë me qira, u gjet trupi i karbonizuar i biznesmenit grek. Shtëpia e viktimës ndodhet në një distancë prej 150-200 metra nga vendi i vrasjes së tij.
Jashtë mjetit ka pasur gëzhoja , ndërsa brenda saj është gjetur një kallashnikov. Pak më larg vendit ku u gjet trupi është gjetur një tjetër mjet i djegur, i cili dyshohet se i përket autorëve.
Christos Gialias ishte pronar i kompanive FARMA KATERINA, G&G, G-EXPRESS dhe BELLA GRECO. Krahas biznesmenit në fushën e tregtisë së mishit, ai ka qenë president i ekipit të futbollit të Trikalasë nga viti 2015 deri në vitin 2017. Në të kaluarën ka qenë edhe drejtues i PAE Paneleussiniakos.
Emri i tij është përfshirë edhe në Shqipëri në disa aktivitete tregtare, import-eksport mallrash tregtie nga vendet e Amerikës latine drejtë Shqipërisë me stacion ndërmjetës Athinën, tregti mishi, boje dhe blerje pronash. Ai kishte të punësuar më shumë se 4000 punonjës në dhjetëra kompanitë dhe bizneset e tij.
Policia thotë se dy janë pistat e hetimit. Ajo e larjes së hesapeve mes bandave të kontrabandës së cigareve që operojnë në zonën e Elefsine ose pista e prishjes së bizneseve me partnerët e tij shqiptare në bizneset që ai kryente me vendin tonë.