Paga reale mesatare në shkallë vendi u rrit me 11.8% në 3-mujorin e dytë të vitit, por e shpërndarë sipas aktiviteteve të ekonomisë, rritjen më të madhe në vlerë e morën punonjësit e sistemit financiar që në vendin tonë dominohet nga bankat dhe të dytët ishin punonjësit e teknologjisë së informacionit. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tremujorin e dytë, paga mesatare mujore bruto arriti në 70,905 lekë, nga 60,666 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por punonjësit e bankave paguhen sa dyfishi me 149,091 lekë në muaj, me një shtesë bruto 18,219 lekë nga 3-mujori i dytë 2022. Aktivitetet financiare, sidomos bankat, kanë nisur zgjerimin e degëve, por edhe bilancet tregojnë për norma të larta fitimi.

Më tej, shtesa më e lartë në vlerë ishte për punonjësit në sektorin e Teknologjisë dhe Komunikimit me rreth 15,325 lekë në muaj, duke bërë që paga zyrtare bruto në këtë sektor të arrijë në 112,114 lekë nga 96,789 lekë ishte më parë. Pagat në TIK nxiten nga rritja e kërkesës për këto aktivitete dhe mungesa e punonjësve, të cilët kryesojnë listat e emigrimit të punonjësve me aftësi.

Të tretët për nga vlera e rritjes vijnë punonjësit e Administratës Publike, me një shtesë bruto 13,930 lekë në muaj. Paga mesatare në sektorin publik shënoi një nivel mesatar 82,319 lekë në tremujorin e dytë 2023 nga 68,389 që ishte në vitin 2022, kryesisht si rrjedhojë e rritjes në nivele të larta të administratës publike, ministrave dhe deputetëve. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme u renditën në vend të katërt, me një shtesë 9,315 lekë në muaj. Paga në këtë sektor arriti në 764,444 lekë nga 67,129 lekë një vit më parë prej volumit me të lartë në transaksionet e pasurive.

Sektori i turizmit, i cili ka shënuar zhvillime pozitive nga rritja e kërkesës nga jashtë nuk ishte pararojë në drejtim të pagave. Rritja në vlerë në këtë sektor ishte 8128 lekë dhe më së shumti është nxitur nga rritja e pagës minimale me rreth 6 mijë lekë në fillim prillit. Rritja e pagës minimale është shkaktari kryesor i ndryshimit të pagave në këtë tremujor pasi gati 30% e tyre janë deri në nivelin e pagës minimale.

Gjatë tremujorit të dytë 2023, grup-profesionet e “Menaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.

foto galeri

foto galeri