Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko deklaroi se vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Tiranë nuk është ‘rutinë’. Në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, Bejko u shpreh se vizita të tilla kanë qenë gjithmonë të rëndësishme jo vetëm për elitën politike por edhe për popullin shqiptar.

“Vizita e sekretarit amerikan të shtetit në Shqipëri duke qenë se kemi të bëjmë me një vend të vogël nuk mund të konsiderohet rutinë por natyrisht të tilla vizita janë si puna e avionit që me sy e shikon tjetër kund dhe zhurma i dëgjohet tjetër kund. Kam përshtypjen se kjo vizitë do jetë e këtyre përmasave.

GJithmonë vizitat e sekre4tarëve amerikanë të shtetit që kanë ardhur në Shqipëri në mos drejtpërdrejtë për elitën politike, ka qenë e rëndësishme për popullin shqiptar. Edhe për faktin që Shqipëria të jetë gjithmonë në agjendën amerikane. Amerikanët, Ballkanin duket sikur e kanë pjesë të politikës së brendshme.

Duan që Shqipëria të dalë nga gropa e gjirizeve të trafiqeve ndërkombëtare dhe t’i kthehet normalitetit. Demokracia e vendeve të rajonit duhet të jetë e garantuar në momentin kur funksionojnë pushtetet. Prandaj është e rëndësishme edhe Reforma në Drejtësi që është bërë në kujdesin e posacëm të SHBA-ve”- u shpreh Bejko.