Në Itali tashmë është e kryer. Marrëveshja për emigrantët azilkërkues e firmosur nga kryeministrat Rama dhe Meloni ka marrë ratifikimin përfundimitar edhe nga Senati italian, dhoma e lartë e ligjvënësve në Romë. Marrëveshja u miratua me 93 vota pro, 61 kundër dhe asnjë abstenim.
Votimi u shoqërua edhe me duartrokitje nga ana e senatorëve të mazhorancës, shkruan ANSA. Ratifikimi nga Senati vjen 3 javë pasi marrëveshja mori dritën jeshile edhe në Dhomën e Deputetëve në parlamentin italian.
Që marrëveshja të jetë fuqiplotë në të dyja vendet, do të duhet që edhe Kuvendi i Shqipërisë ta ratifikojë. Më 29 janar 2024 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vlerësoi se marrëveshja ishte konform Kushtetutës dhe ligjit ndërkombëtar duke i hapur rrugë miratimi në parlament. Pritet zbardhja e vendimit të arsyetuar të Gjykatës që marrëveshja të kalojë në parlament.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos në Romë më 6 nëntor 2023 nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Ajo parashikon ngritjen e një qendre pritjeje në Portin e Shëngjinit në Lezhë dhe një qendër akomodimi në Gjadër. Italia do të kujdeset për të gjitha shpenzimet ndërsa kapaciteti është 3 mijë emigrantë.