Në vendimin e zbardhur që Top Channel e disponon ekskluzivisht, në të cilin i jepet të drejtë SPAK që nuk e lejon ish kryeministrin Sali Berisha të marrë pjesë të enjteve në parlament, gjykata thekson se Sali Berishës nuk i është cenuar funksioni i deputetit si përfaqësues i zgjedhur shqiptarëve.
‘Por, argumenton gjykata, nuk mund të pritet që kjo e drejtë të ushtrohet në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë si kolegët e tjerë deputetë, në kushtet kur kërkuesi Sali Berisha, ka marrë edhe cilësinë e të hetuarit në procedimin penal në fjalë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Për më tepër që sipas gjykatës në ligjin procedural penal, nuk parashikohet mundësia e dhënies së një leje të këtij lloji. Gjykata e posaçme i tha ‘jo’ Sali Berishës për të shkuar në parlament, por nuk ja ka mbyllur derën plotësisht. Duke i sjellë si shembuj lejen për ish deputetët Mark Frroku dhe Armando Prenga, gjykata kujton se ata u lejuan të shkojnë në parlament por me raste të veçanta, për të votuar një ligj.