Autoritetet ruse kanë arrestuar më shumë se 100 persona më 16 shkurt në 10 qytete ruse, sipas OVD-Info, përderisa qytetarët në mbarë vendin kujtuan politikanin opozitar, Aleksei Navalny.

OVD-Info tha se 56 persona u dërguan në mbajtje në disa qarqe të Shën Petersburgut, ku policia shpërndau njerëzit që ishin mbledhur. Një fotograf i Novaya Gazeta dhe një korrespondent i RusNews ishin në mesin e të arrestuar.

Edhe 15 të tjerë u arrestuan në Nizhni Novgorod dhe 11 në Moskë, shkroi në ueb-faqe OVD-Info, duke përmendur numrin dhe emrat e të gjithë të arrestuarve. Në shtatë qytete të tjera, po ashtu ka pasur të arrestuar, sipas OVD-Info. Në Moskë, policia doli në monumentin për viktimat e shtypjes politike që gjendet në sheshin Lubjanka.

Sipas Kommersant, të paktën 1.000 persona shkuan te memoriali dhe vendosën lule dhe shënime në nderim të Navalnyt. Një memorial spontan po ashtu u shfaq afër një shtëpie në Moskë, ku Navalny kishte jetuar para se të arrestohej. Pasi u bë publik nga autoritetet ruse lajmi për vdekjen e Navalnyt në burg, memoriale spontane u ngritën edhe në qytete të tjera, sikurse në Novosibirsk, Uljanovsk dhe Kirov.

Në Novosibirsk, një banore lokale mbajti në duar një poster ku shkruante “Kush e ka radhën”. Policia e mori në pyetje, por nuk e arrestoi. Por, ndryshe ngjau me një grua në Murmansk, e cila po ashtu mbajti një protestë me një person – protestë e lejuar nga autoritetet ruse – dhe mbajti një pankartë ku shkruhej: “Gjaku i tij është në duart tuaja, Vova”, një referencë për presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas News Beware, ajo u arrestua.

Policia bllokoi një memorial në Novosibirsk, sipas postimeve në Telegram. Në Uljanovsk, njerëz me rroba civile hoqën lulet e vendosura pranë një fotografie të Navalnyt.

Një person është arrestuar edhe në Minks të Bjellorusisë. SOTA raportoi se Dmitry Kuchuk, lider i partisë së ndaluar të Gjelbërve u arrestua teksa tentoi të vendoste lule në një memorial për Navalnyn para Ambasadës ruse.

Shërbimi Federal të Burgjeve i Rusisë në rajonin Yamalo-Nenets tha të premten se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen dhe se vdiq pasi iu ofrua ndihma mjekësore.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e Navalny, tha se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e burrit të saj. Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit. Presidenti amerikan ka bërë përgjegjës Putinin për vdekjen e raportuar të Navalnyt.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë. Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës./REL