Vijon intensivisht puna operacionale dhe e inteligjencës policore, në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Paralel”.
Sekuestrohen 600 g cannabis (një pjesë në doza), 500 fara cannabisi, 1 peshore elektronike, 1 armë zjarri, 1 armë e ftohtë, 254 000 lekë dhe 620 euro të përfituara nga veprimtaritë kriminale, si dhe 2 celularë.
Arrestohet në flagrancë shtetasi që posedonte sendet e kundërligjshme dhe lëndën narkotike të cilën e kishte siguruar me qëllim shitjen në doza, në afërsi të shkollave.
Procedohet penalisht një shtetas tjetër që u kap duke blerë doza cannabisi, nga i arrestuari.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacioneve “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, për një shtetas të implikuar në disa veprimtari kriminale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Tepelenës, në bashkëpunim me ata të sektorëve Operacional dhe për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar “Paralel”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. G., 65 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. S., 42 vjeç, të dy banues në Tepelenë.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e të arrestuarit, shërbimet e Policisë gjetën rreth 600 g cannabis, 500 fara cannabisi, 1 peshore elektronike, 1 armë zjarri, 1 armë të ftohtë, 254 000 lekë dhe 620 euro të përfituara nga veprimtaritë kriminale, si dhe 2 celularë. Një pjesë e lëndës narkotike ishte ndarë në doza, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave.
Ndërkaq, procedimi penal për shtetasin L. S. nisi sepse u kap në flagrancë duke blerë doza cannabisi, nga shtetasi J. G..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.