Leonard Hide, kryetari i Bashkisë së Libohovës është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për shpërdorim detyre. Sipas hetimeve, në vitin 2021 kur Hida mbante detyrën e shefit të Krimeve në komisariatin e Gjirokastrës, ka lejuar kultivimin e kanabisit.
Hide akuzohet se ka lejuar kultivimin e bimëve narkotike përkundrejt përfitimit. Ai u paraqit sot (18 mars) në seancën në GJKKO, ndërsa u shpreh i gatshëm të largohet nga detyra nëse do jetë e nevojshme.
Hide po hetohej nga prokuroria e Gjirokastrës por pasi mori detyrën e kryetarit të bashkisë, kjo prokurori ia kaloi dosjen SPAK.
Kur kandidova për kryetar bashkie nuk isha në dijeni të hetimit” tha Hide duke shprehur gatishmërinë: ‘Nëse është e nevojshme do largohem si kryetar bashkie për t’u përballur me drejtësinë” tha ai pasi doli nga seanca gjyqësore në GJKKO.
Këtë të hënë, (18 mars) seanca paraprake për kalimin ose jo për gjykim nuk u zhvillua, pasi GJKKO i ka kërkuar SPAK të mbajë qëndrim nëse çështja duhet të gjykohet në GJKKO apo do të gjykohet në Gjirokastër, informoi gazetarja Keti Banushi.
Bashkë me Hiden të pandehur janë marrë edhe disa ish-punonjës të tjerë të policisë. Parcelat me kanabis u zbuluan gjatë një operacioni të shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat dhe Prokurorisë Gjirokastër.
Hide mori mandatin e kryetarit të Bashkisë së Libohovës në zgjedhjet e 14 majit 2023 nën siglën e Partisë Socialiste.Ai fitoi me 52.64 % të votave, kundrejt kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ Adil Xhelili, i cili mori 47.36 %.