Trajneri Silvinjo ka vendosur që në këtë ndeshje t’u besojë kryesisht lojtarëve me të cilët përballoi kualifikueset, me lëvizje të vogla në rreshtim. Por aty bie në sy aktivizimi i Rei Manajt nga minuta e parë në një test që do të jetë i rëndësishëm për të parë se si do të përshtatet ai në skemat e kuqezinjve.

Shqipëria pëson disfatë në miqësorën e parë të marsit, teksa u mund 3-0 nga Kili në “Ennio Tardini” të Parmës. Kuqezinjtë patën rastin e artë për të zhbllokuar llogaritë që në minutën e 10-të, por Manaj nuk shfrytëzoi si duhet një gabim në prapavijën kiliane. Ekipi i Sylvinhos e pësoi në minutën e 20-të, pas një të djathte të bukur të Vargas. Protestat për prekje me dorë të topit nuk u morën parasysh, me arbitrin që e konsideroi të rregullt golin.

Shqipëria provoi të “zgjohet” dhe lëshoi sinjale me Jasir Asanin, gjithsesi goditja e tij nga distanca nuk shqetësoi portierin Bravo. Në të 34-tën, radhën e kishte Ramadani, sërish pa rezultat.
Ekipi i Garecas filloi “zjarr” pjesën e dytë, me shumë dëshirë për gjetjen e golit të dytë. Victor Davila “flirtoi” me golin, duke shkaktuar drithërima në stadium. Në minutat e fundit, Sylvinho aktivizoi edhe Brojën, ndërsa debutoi në këtë miqësore edhe Arbër Hoxha. Në të 75-tën, Broja kontrolloi mirë topin në zonë, por goditja e dobët u ndal nga mbrojtja e Kilit.

Shpresat për të marrë qoftë një barazim në këtë takim për përfaqësuesne tonë u shuan përfundimisht në minutën e 84-të, atëherë kur Bolados “tundi rrjetën”. Në fundin e sfidës, një gol i Davilas “vulosi” shifrat në 0-3. Shqipëria, para premierës së Europianit, ka në program një tjetër miqësore, atë ndaj Suedisë pas pak ditësh në “Friends Arena”.