Mbledhja e parë e Komisionit Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi ka nisur me debate këtë të hënë.

Pas fjalës hyrëse dhe konsitutimit të komisionit nga ana e kryetares Albana Vokshi, nënkryetari Plarent Ndreca ka theksuar se konsitutimi nuk mund të kryhet pasi ende nuk ka një vendim të zbardhur, pas miratimit të komisionit në seancën e kaluar plenare.

Debati mes tyre degradoi në ofendime kur nisën të diskutonin mbi të drejtat e detyrave që kanë në komision.

Gjatë mbledhjes, Klevis Xhoxhi u zgjodh sekretar i komisionit pas votimit të anëtarëve.

Kryetarja e Komisionit, gjatë diskutimeve,  tha se do të thërrasë disa dëshmitarë në komision, mes tyre edhe kryeministrin,  Edi Rama dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Pjesë nga debati:

Vokshi: Po të duroni…

Ndreca: Po bën konferencë për shtyp, atëherë të ikim ne.

Ndreca: Më vjen keq që u nis në këtë mënyrë kjo mbledhje për arsye se thjesht dhe vetëm referuar deklaratave ju e keni paragjykuar veprimtarinë  e këtij komisioni, keni fyer një parim kushtetues që është, është arsyeja pse jemi ngritur, jemi ngritur për tu mos u paragjykuar, nëse vijojmë me deklarata politike partiake, nëse bëjmë deklarata ndërkohë që kemi këtu për një proces të rregullt ligjor e kemi nisur me një këmbë jo të mbarë, të respektoni parimet kushtetuese. Në lidhje me konstituimin, ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare dhe nuk e di sa është e mundur pa një vendim të zbardhur. Do të ishte korrekte të kishim një vendim të zbardhur. Duhet të ezaurojmë pikën e parë që ka lidhje me zbardhjen e vendimit.

Vokshi: Kam diskutuar me drejtoreshën juridike, vendimi është zbardhur, por është vetëm çështje numri në vendimin për ngritjen e komisionit, për sa kohë kjo nuk prek thelbin unë nuk gjykoj se duhet të presim një numër. Nuk mendoj se përbën arsye për të vonuar punën e komisionit.

Vokshi: Nëse keni ardhur për të bërë zhurmë? Pak respekt, do ta merrni fjalën.

Vokshi: Me qetësi se e sqaron vetë, kemi rrugë të gjatë para, mos e nisni që sot

Ndrecaj: Ju jeni spiker në këtë komision, ky komision ka edhe një bashkëkryetar

Vokshi: Ka një kryetar dhe në mungesë

Ndrecaj: Pse e dhunoni fjalën time, a mund ta mbaroj?

Vokshi: E kuptoj detyrën që ju kanë dhënë, futuni në thelb

Ndreca: Mos më ndërprisni. Unë e kam shumë të thjeshtë vendimmarrjen, unë nuk marr pjesë në këto lloj komisionesh, që dhunojnë hapësirën, ju vijoni me argumente partiakë, me konkluzione akoma pa nisur punën, na kanë ardhur në majë të hundës. Ne nuk e dimë ende çfarë po hetojmë.

Vokshi: Ju tërheq vëmendjen për mungesën e etikës, e kuptoj që ju kanë dhënë një detyrë jo të ketë që të bëni zhurmuesin dhe të pengoni komisionin. Në mungesë të kryetarit detyrat kryhen nga zv. kryetari, ka një kryetar, nuk ka bashkëkryetarë, do të ishit edhe juve këtu. Kur unë të mos jemi do të jeni juve këtu që ta drejtoni

Zhupa: Ju jeni avokat i një prej personave të përfshirë në këtë aferë. Le të pyesim SPAK, nëse Ndreca ka qenë avokat dhe me këtë qartësojmë

Ndreca: Duket që keni një merak, duhet t’jua marrë mendja që unë jam më i aftë se sa juve për ta kuptuar këtë gjë

Vokshi: Do jua heq fjalën, përmbahuni kodit të etikës, bëni sqarimet e konfliktit të interesit

Ndreca: Unë nuk thash asnjë fjalë jo etike

Ndreca: Kam qenë avokat jo vetëm i atij por edhe shumë prej atyre nga ana juaj

Ndreca: Duhet të vijojmë me zgjedhjen e kryetarit, të marrim kohën për ekspertët, na jepni një kohë të arsyeshme, do të propozoja në 4 ekspertë.

Vokshi: Kur të vijë rendi i ditës do t’i caktojmë.

Koçi: Janë çështje të rëndësishme që kanë krijuar sensibilitet në opinionin publik. Është një nga komisionet hetimore me arsye të qëndrueshme. Fillimi i punimeve të këtij komisioni, nuk është i mbarë. Pak a shumë është përsëritje e një historie. Komisionet janë njollë e zezë e parlamentit dhe këtu janë thirrur skifterët e palëve.  Këtu duhet të gjykohet urtësia e gjykimit. Ndaj roli i moderatorit është i rëndësishëm. Mendoj që në rastin që Kuvendi ju ka zgjedhur juve si kryetare, keni përsipër një përgjegjësi të madhe. Nuk do të ishte e udhës që përfundimi i këtij komisioni të jetë e njëjta histori. Pra raporte dy palëshe dhe kacafytje në gjithë procesin dhe p rocedurat e këtij komisioni. Etika dhe rregullsia në këtë komision, varet nga ai që drejton. Do ju ftoja që të ishit në përputhje me mandatin e këtij komisioni. Duhet të kërkojmë të vërtetën për çështje të rëndësishme. Paracaktimi sjell zhvillime të mbrapshta.

Kujtojmë se komisioni u ngrit pas marrëveshjes mes PS dhe Rithemelimit, pas 5 muajve kaos në seancat plenare të Kuvendit.

Anëtarët e Komisionit Hetimor në Shëndetësi janë:

Albana Vokshi Kryetar PD
Plarent Ndreca Nënkryetar PS
Klodiana Spahiu Anëtar PS
Milva Ekonomi Anëtar PS
Ilirjan Pendavinji Anëtar PS
Ilir Metaj Anëtar PS
Edona Bilali Anëtar PS
Petro Koçi Anëtar PS

Klevis Xhoxhi Anëtar PS
Zheni Gjergji Anëtar Rithemelimi
Ina Zhupa Anëtar Rithemelimi
Edmond Spaho Anëtar Rithemelimi
Saimir Korreshi Anëtar Rithemelimi
Xhelal Mziu Anëtar Rithemelimi
Petrit Vasili Anëtar Rithemelimi