Ndonëse dëshmitarët okularë deklaruan se 68-vjeçari grek kishte deklaruar në vendngjarje se “Mbarova me ty tani”, autori i dyshuar i krimit kishte shfaqur pendesë për aktin. Në polici i moshuari deklaroi se nuk kishte dashur që të përfundonte kështu ngjarja. “Nuk doja që të përfundonte kështu”, tha autori i penduar para policisë.

68-vjeçari, pas vrasjes në Pire të 39-vjeçarit Brigen Limka, baba i tre fëmijëve, që tronditi gjithë Greqinë, shkoi në shtëpinë e tij, në një pallat aty pranë, ku u arrestua pak më vonë. Mësohet se arma e gjahut me të cilën ai kreu krimin, ishte pa leje. Sipas informacioneve të MEGA-s, autori kur ka mbërritur në nëndrejtorinë e Sigurisë së Pireut u ka thënë punonjësve të policisë: “Kishim vite që fërkoheshim. Makinat i vendosin nga parkingu edhe në trotuar. Ata po bllokonin rrugët. E kisha shprehur indinjatën time shumë herë. Nuk doja që të përfundonte kështu”, mësohet të jetë shprehur ai.

Të moshuarit i mjaftuan vetëm 9 sekonda për të ekzekutuar shqiptarin, pas një debat verbal që ata kishin pasur. Tashmë ai ndodhet pas hekurave në pritje të masës së sigurisë.