Finalizohet operacioni i koduar “Matt”, si rezultat i informacioneve nga inteligjenca policore, për goditjen e një tentative për të trafikuar lëndë narkotike.
Sekuestrohen 2 thasë me rreth 15.8 kilogramë cannabis sativa, 2 automjete tipe “Jaguar” dhe “Mini Cooper” dhe 6 celularë.
Arrestohen 50-vjeçari që transportonte me automjet lëndën narkotike dhe shtetasi që monitoronte rrugën ku kalonte automjeti.
Të dy të arrestuarit, me precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në vijim të punës intensive kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet operacionale dhe me ato të qarkullimit rrugor, të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar “Matt”.
Gjatë operacionit u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit Th. B., 50 vjeç, banues në fshatin Shënvasi, Sarandë dhe F. D., 31 vjeç, banues në Konispol.
Në automjetin tip “Jaguar” që drejtonte 50-vjeçari, në urën e Kardhiqit, u gjetën 2 thasë me rreth 15.8 kilogramë cannabis sativa. Nga hetimet paraprake dyshohet se lënda narkotike po transportohej me qëllim trafikimin. Gjithashtu, u kap shtetasi F. D. që lëvizte me një automjet tip “Mini Cooper”, me të cilin monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.