Serbia që prej 8 prillit vijon stërvitjen stërvitjen ushtarake, ndërsa sot pritet të mbahet një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë serbe. I pranishëm do të jetë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, si edhe komandanti i KFOR dhe përfaqësues të tjerë të autoriteteve në Serbi. Gjatë stërvitjes së sotme, pritet të testohen edhe dronë kamikazë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se stërvitjet ushtarake të Serbisë, të quajtura “Vorbulla 2024”, paraqesin kërcënim për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime, përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori e aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë, që ata nuk e njohin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, tha Kurti.
Por, sa i përket pjesëmarrjes të shefit të KFOR-it në këto stërvitjeve në Serbi, zëdhënësi i KFOR-it, koloneli tha pjesëmarrja e Ozkan Ulutas “reflekton raportin efektiv që KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe kanë zhvilluar përgjatë viteve”, përfshirë edhe përmes kontakteve të rregullta që kanë me shefin e ushtrisë serbe, “por edhe përmes vëzhgimeve në të kaluarën që KFOR-i u ka bërë stërvitjeve të Forcave të Armatosura Serbe”.
Stërvitja “Vorbulla 2024” zhvillohet me qëllim të përmirësimit të mëtejshëm të stërvitjes dhe aftësisë së komandave dhe njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Prej 8 prillit ushtria serbe po kryen stërvitje, ndërsa janë përdorur tanke dhe mjete të tjera të blinduara luftarake, artileri, sisteme kundërajrore, sisteme raketore antitank, dhe lloje të ndryshme të armëve.