Pas rreth katër orësh, ish-këshilltari i Ilir Metës, Ralf Gjoni ka dalë nga zyra e SPAK.
Para gazetarëve ai nuk ka dhënë detaje se për çfarë është pyetur duke thënë se është vetë avokat, dhe e di mirë se nuk duhet të flasë në lidhje me atë që ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme.
“U pyeta si shtetas Ralf Gjoni në cilësinë e të angazhuarit në angazhime dhe pozicione shtetërore. Jo si person në hetim. Ju e dini që nuk ka ndonjë arsye për të më hetuar. Nuk kam qenë pjesë e dosjen e Metës se nuk kam qenë në kontakt gjatë presidencës. Bëhet fjalë për një periudhë inaktive timen”, tha ai.
Mësohet se Ralf Gjoni, është thirrur në SPAK lidhur me lobimin që ka bërë kjo forcë politike në SHBA gjatë kohës që ka qenë në qeverisje së bashku me Partinë Socialiste.
Gjoni është parë të futet në SPAK i vetëm, pa prani të avokatit të tij.
Në vitin 2016 në media u publikuan dokumente sipas të cilave LSI ka bërë pagesa në vlerë 267,804 USD për kompaninë e saj të lobimit në Uashington, Global Security and Innovative Strategies, GSIS.
Pagesat përfshijnë tarifën mujore fikse prej 30,000 USD për kompaninë amerikane si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane.