Presidenti polak Anderzej Duda la të kuptohet se vendi i tij është i gatshëm të stacionojë armë bërthamore në territorin e vet për të frikësuar Rusinë.

Nëse aleatët e NATO-s e kërkojnë këtë, Polonia mund të forcojë në këtë mënyrë krahun lindor të aleancës, pohoi ai në një intervistë për gazetën “Fakt”. Rusia “ka nisur të stacionojë kohët e fundit armët e saj nukleare në Bjellorusi,” u shpreh Duda duke iu referuar një njoftimi të bërë në dhjetor nga presidenti bjellorus Aleksander Lukashenko.

Duket se për këtë ide të tij, Duda nuk ishte konsultuar me kryeministrin Donald Tusk i cili u tha  gazetarëve duhet të bisedojë urgjentisht për këtë propozimi me presidentin pasi  “kjo ide, u shpreh ai, është shumë masive dhe shumë serioze dhe unë duhet të di të gjitha rrethanat që e shtynë kreun e shtetit ta bëjë këtë deklaratë.”

Qeveria gjermane tha se oferta e Polonisë pritet në përgjithësi pozitivisht. “Në thelb, ne sigurisht jemi shumë të kënaqur me rolin që Polonia luan brenda Bashkimit Evropian ose brenda NATO-s. Qeveria gjermane e vlerëson vërtet që Polonia po angazhohet me kontribut kaq të fortë në këtë drejtim” – tha në Berlin zëvendëszëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann. Pavarësisht dashamirësisë së Berlinit megjithatë, një lëvizje e tillë duket nuk ka për të ndodhur, të paktën jo tani shpejt. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, jens Stoltenberg, deklaroi se aleanca nuk ka asnjë plan për të nisur armë të tilla në Poloni.

 “NATO-ja nuk është duke planifikuar rikonfigurimin e forcave të saj nukleare apo stacionimin e cfarëdolloj force në ndonjë vend anëtar”, tha Stoltenberg.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov reagoi lidhur me stacionimin e mundshëm të armëve bërthamore në Poloni duke deklaruar se: “Përfaqësuesit ushtarakë rusë sigurisht që do të analizojnë situatën dhe si përgjigje do të marrin patjetër të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e vendit tonë”.