Partia e Lirisë po zhvillon sot në Pallatin e Kongreseve Konventën Kombëtare, e thirrur nga Ilir Meta, me qëllim sipas këtij të fundit, Rithemelimin dhe shkëputje nga nepotizmi të partisë.

Meta ka paralajmëruar që përmes ndryshimeve statutore do ta shkëpusë partinë nga nepotizmi, moment që largon automatikisht Monika Kryemadhin nga strukturat drejtuese.

Kryemadhi, teksa ka mbërritur në Konventë, duket se ka pranuar vendimet e Metës dhe është tërhequr nga beteja politike me bashkëshortin e saj, duke parlajmëruar edhe largimin e saj nga politika.

Ish-kryetarja e LSI-së, tha se tashmë pas 30 vitesh, ka ardhur koha që të ketë prioritet fëmijët dhe jo politikën.

‘Ka ardhur koha që priorietet janë familja Bora, Besi dhe Era.’- tha Kryemadhi.

Pse nuk e sfiduat Ilir Metën?

‘Po jua them dhe një herë. Pas 30 viteve ka ardhur koha që Monika nuk do të luftojë më e nuk do të bëjë më shfaqje, por Monika do të shikojë prioritetet e tjera. Në 30 vjet Monika ka qenë gladiatore në arenën e luftës, por do të shikoj prioritet të tjera’- tha Kryemadhi.

Nga ana tjetër, Ilir Meta u shfaq i nervozuar me stafin e tij. Kreu i PL-së pati kritika edhe për energjinë e të rinjve.

‘Rinia e plakur, hajde. Po të ec me ritmin tuaj unë, 700 vjet rri Rama në pushtet!’ dëgjohet të thotë Ilir Meta në nisje të Konventës.

Në konventë priten më shumë se 900 delegatë dhe mbi 2000 të ftuar, mes të cilëve kryetarë të partive aleate, por deri rreth orës 10:00, salla ishte bosh.