Partia e Lirisë zhvillon sot në Pallatin e Kongreseve Konventën Kombëtare, e thirrur nga Ilir Meta, me qëllim sipas këtij të fundit, Rithemelimin dhe shkëputje nga nepotizmi të partisë.
Meta akuzon Ramën se ka rrëmbyer vulën e PD e i gënjen mendja se mund të marrë dhe vulën e PL-së e të shuajë opozitarizmin.
“Partia do ribëhet! Kush është me Ilir Metën, nëse sot votohet sot si president, rri me Ilir Metën, kush nuk është, burrë apo grua i jep dorën e ikën. Kush qëndron për të bërë lojrat e don Agaçit e Tarallakut e ka gabim, se Ilir Meta ka bërë shkollën e Fatos Nanos, Ramiz Alisë e Sali Berishës. I ka bërë të gjitha shkollat që I duhen për tu përballur me mafian” tha Meta në fjalën e tij.
Meta ka paralajmëruar që përmes ndryshimeve statutore do ta shkëpusë partinë nga nepotizmi, moment që largon automatikisht Monika Kryemadhin nga strukturat drejtuese.
Kryemadhi, teksa ka mbërritur në Konventë, duket se ka pranuar vendimet e Metës dhe është tërhequr nga beteja politike me bashkëshortin e saj, duke parlajmëruar edhe largimin e saj nga politika.
Ish-kryetarja e LSI-së, tha se tashmë pas 30 vitesh, ka ardhur koha që të ketë prioritet fëmijët dhe jo politikën.
‘Ka ardhur koha që priorietet janë familja Bora, Besi dhe Era.’- tha Kryemadhi.
Pse nuk e sfiduat Ilir Metën?
‘Po jua them dhe një herë. Pas 30 viteve ka ardhur koha që Monika nuk do të luftojë më e nuk do të bëjë më shfaqje, por Monika do të shikojë prioritetet e tjera. Në 30 vjet Monika ka qenë gladiatore në arenën e luftës, por do të shikoj prioritet të tjera’- tha Kryemadhi.
Në fjalën e tij para gazetarëve në hyrje të pallatit të Kongreseve Meta deklaroi se konventa nuk ka të bëjë me Monika Kryemadhin por me zhdukjen e nepotizmit.
‘Në kryesi me Kryemadhin jemi të barabartë. Do t’i japim fund nepotizmit sepse nepotizimi e solli PL në atë situatë që dëmtoi pluralizmin dhe ndihmoi mafien për fat të keq që të kapë të gjitha pushtetet. Kjo nuk është Konventë kundër Monikës, por për 5 prioritetet për 4 mln shqiptarë plus!’- tha Meta.
Në konventë priten më shumë se 900 delegatë dhe mbi 2000 të ftuar, mes të cilëve kryetarë të partive aleate.