Kreu i PD-së, Lulzim Basha mori pjesë sot në një takim me Kuvendin Zgjedhor të degës nr.3 në Tiranë. Basha në fjalën e tij u ndal tek amnistia e miratuar në parlament mes Rithemelimit dhe Partisë Socialiste. Basha thotë se ata miratuan amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit.
‘E zvaritën sa e zvarritën amnistinë derisa një ditë të bukur thanë ejani të bëjmë amnistinë, sepse brenda kishin futur atë që në gjuhën popullore quhet “mishi i dhisë”. Amnisti me mish dhie do të thotë amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit kundër korrupsionit. Këtë bënë. Por nuk e bënin dotë pa disa vota nga ata që ulen në atë karrige me votat e opozitës. Me mundin, djersën dhe gjakun e demokratëve’, u shpreh kreu i PD-së.
Nga ana tjetër sa i përket reformës zgjedhore, kreu i PD-së thotë se propozimet e tij janë të mbështetura nga të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike.
Të cilat siç e dini fare mirë, po të dalim jashtë i përqafon çdo qytetar pavarësisht prej bindjeve politike. Për listat e hapura, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik, për Shqipërinë një zonë që garanton barazinë e votës dhe për votën e diasporës. Ky është një rast tjetër ku duket qartë se kush e bën betejën për shqiptarët dhe kush e bën këtë betejë për demokratët dhe kush është kthyer në rimorkio të urbanit të prishur të Edi Ramës. E prishën komisionin e reformës zgjedhore se do të ndërtonin një tjetër celulë 3 plus 3. Ka më shumë se dy muaj që komisioni i reformës zgjedhore u asgjësua me dorën e atyre që i thonë vetes opozitë, por që në fakt janë rimorkio e Edi Ramës’, tha Basha. Lulzim Basha i ka konsideruar si gënjeshtër suksesin e qeverisë për 10 milionë turistët gjatë vitit 2023.
Gjatë një fjalimi në Kuvendin Zgjedhor demokrat të degës nr.3, Basha thotë se pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që kthehen në familjet e tyre.
Nga ana tjetër, kryedemokrati shton se turizmi në vendin tonë lë për të dëshiruar dhe nuk është në gjendje të mbajë veten e vet.
‘Është gënjeshtër siç u detyruan ta pranonin. Mbi 60% e tyre janë shqiptarë që vijnë të vizitojnë familjet e tyre, apo shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë. Pjesa tjetër janë turistë me shpenzime të ulëta. Turizmi shqiptar nuk është në gjendje të mbajë në këmbë veten e vet dhe jo më të krijojë një zinxhir vlerash i cili normalisht duhej të dyfishonte e të trefishonte volumin e prodhimit bujqësor. Duhej të zgjidhte një herë e përgjithmonë mirëqenien e fermerit shqiptar’, tha Basha.