Nën tingujt e himnit shqiptar dhe më pas të himnit të Bashkimit Europian nisi takimi i kryeministrit Edi Rama me komunitetin shqiptar në sallën “Christmas Theater” në stadiumin ‘Galatsi’ në Athinë. 

Salla është plot me shqiptarë të cilët valëvisin flamujt kuqezi. Kryeministri Edi Rama ndodhet në Athinë i shoqëruar nga një delegacion i gjerë prej 100 ministrash dhe deputetësh. 

Takimi është konceptuar mes fjalimeve të zyrtarëve të lartë dhe një koncerti festiv me këngëtarë si Era Rusi e Noizy. 

Ndërkohë 50 gazetarë shqiptarë kanë shkuar në Athinë për të pasqyruar aktivitetin.

Fjalimet i hap ambasadorja shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga, më pas flasin Kryetari i bashkisë Sarandës  Oltion Çaçi, Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, Krytari i bashkisë Vlorë Ermal Dredha, Majlinda Dhuka Kryenegociatore e Shqipërisë në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Romina Kuko sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë në PS,Elisa Spiropali ministre e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Blendi Klosi sekretar i pergjithshem i PS.

I fundit do të mbajë fjalim është kryeministrit.

Pas takimit, kryesocialisti do të ketë një takim me strukturat e degës së PS në Athinë ku do të shpërndaje dhe kartat për anëtarët më të rinj të kësaj force në emigracion.

Qeveria greke pavarësisht rezervave për mbajtjen e këtij takimi përpara zgjedhjeve europiane të 9 qershorit, ka marre masa për mbarëvajtjen e tij.

Pas Athinës Rama do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët që jetojnë në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.