Kreu i KLP, Alferd Balla është përjashtuar për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Vendimi me shumicë votash u dha nga Kolegji i Posaçëm i Apelit dhe ka formë të prerë, çka do të thotë se Balla del jashtë sistemit të drejtësisë, duke mos drejtuar më as KLP-në, apo të ushtrojë edhe detyrën e gjyqtarit apo prokurorit.

Trupa gjykuese pranoi ankimin e Komsionerit Publik duke thënë se Alfred Balla ishte subjekt rivlerësimi, por hoqi dorë nga detyra me vullnet të lirë, duke mos iu nënshtruar kështu procesit të vettingut.

“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si I tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, u tha në deklaratë. 

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë. 

Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe prej asaj kohe mbante postin e zv/kryetarit. Më 28 mars të vitit 2022 ai u zgjodh kryetar i këtij Këshilli, me një mandat 2 vjeçar.

Balla u përball me Kolegjin për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe sipas legjislacionit duhej t’i nënshtrohej procesit të vetingut. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.

Por ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik. Komisionerja Valbona Sanxhaktari në seancën e 29 prillit tha se Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose duhej t’i nënshtrohej dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërprerjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar. Me të njëjtat argumente ishte edhe vendimi i KPA, që u lexua për mediat nga kryesuesja e trupës gjykuese Ina Rama. 

“Zgjedhja e bërë prej tij për të qenë pjesë e një organi kushtetuese e cila pas sillte pasjen e një statusi ligjor që ishte i papajtueshëm me të mëparshmin duke hequr dorë prej gëzimit të të drejtave që buronin nga të drejtat e këshilltarit ligjor vlerësohet si sjellje e vullnetshme që synon rritje në karrierë brenda sistemit të drejtësisë të cilën një subjekt rivlerësimi nën frymën e qëllimit të procesit të rivlerësimit legjitimohet ta kryejë vetëm pasi ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar i cili është i ndryshëm ndaj çdo proces tjetër kontrolli që kryhet nga organet e tjera kushtetuese.

Rezulton se subjekti I rivlerësimit ka përfunduar në kuptimin ligjor marrëdhënien e punësimit si këshilltar ligjor në gjykatën e Lartë për shkak të vullnetit të tij. Ka kërkuar të mos i nënshtrohet procesit të rivlerësimit edhe ndërsa ai vetë ka pretenduar gjyqësish se gëzonte statusin e këshilltarit ligjor që e bënte subjekt rivlerësimi, e më pas ka hequr dorë nga pretendimi i këtyre të drejtave në funksion të mos ushtrimit ndaj këtij procesi.  Rrethana të cilat përfaqësojnë një situatë të kualifikueshme sipas nenit G të aneksit të Kushtetutës”, tha Ina Rama.