Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratës së të dërguarit të SHBA-ve për Ballkanin, Gabliel Escobar, i cili i bëri thirrje opozitës që nuk duhet të vendosin si kryetar dikë që ‘na kujton përplasjet e viteve ‘90.’

Postimi i ish-kryeministrit Sali Berisha: 

Reagim ndaj deklaratës së Zotit Gabriel Eskobar.
Në një intervistë të tij, dhënë gazetares Ilva Tare, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit z. Gabriel Eskobar ndër të tjera ka deklaruar: “Dhe më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”.
Me këtë rast i rikujtoj z. Eskobar sa vijon: Koha më e keqe e shqiptarëve kanë qenë ajo kur opozita ishte e ndaluar me ligj dhe më pas ajo që e ktheu opozitën në një fasadë. Në një vend demokratik opozita zgjidhet me votë dhe nuk emërohet me kërcënimet e tipit të Enver Hoxhës për të ngrënë bar. Qytetarët opozitarë me votën e tyre në dy palë zgjedhje pavarësisht manipulimeve, heqjes arbitrare të logos së përfaqësimit, mungesës së plotë të fondeve, komisionerëve dhe numëruesve, kërcënimeve të turpshme, kanë treguar me kurajo se kush është përfaqësuesi i tyre legjitim. Ata që kërkojnë opozita të emëruara nuk i shërbejnë demokracisë, por putinizimit.
Sa për kujtesë vitet ‘90 kanë qenë vitet e zgjimit dhe daljes nga diktatura. Vitet kur Partia Demokratike udhëhoqi revolucionin demokratik të përmbysjes së diktaturës më të egër të Hitlerit shqiptar të pas luftës, Enver Hoxhës dhe kalimin e vendit nga monizmi në demokraci. Në atë kohë James Baker do u thonte shqiptarëve: “Ju keni të drejtë të zgjidhni liderët tuaj”!
Sa keq që pas 30 vjetesh një burokrat u thotë atyre se nëse zgjidhni atë që dëshironi do të hani bar! Jam i sigurt që shqiptarët dhe demokratët e kanë shumë të thjeshtë zgjdhjen mes këtyre dy modeleve.