Pas mbledhjes me grupin e Rithemelimit, Gazment Bardhi tha se s’do e mbështesin me votë ngritjen e komisionit të Posaçëm anti-korrupsion i cili është futur në rend dite nesër në Kuvend. Bardhi tha se gjatë kohës që ishin në mbledhje, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla kërkonte takim me krerët e grupeve dhe drejtuesit e partive opozitare.

Kjo çështje ishte kryefjalë e diskutimeve në mbledhjen e grupit të Rithemelimit. Para se të merrnin pjesë në mbledhje, të pyetur nga gazetarët, shumica e deputetëve të Rithemelimit u shpreh kundër pjesëmarrjes në këtë komision të posaçëm, por pritet të dilet me një vendim unanim nga mbledhja e grupit.

Nënkryetari i Rithemelimit, Gazment Bardhi se ky komision është një propgandë për të mbuluar korrupsionin

“Më gjeni një rast kur Rama ka drejtuar gishtin ndaj një të korruptuari dhe ka thënë do ta largoj nga puna se është i korruptuar. Ndërkohë, çdo aferë për korrupsion të denoncuar nga opozita me fakte i ka dalë për zot. Rasti është ky. Prandaj s’jemi bërë pjesë e këtij procesi, duke ritheksuar se ka mungesë vullneti nga mazhoranca dhe është propagandë dite për të mbuluar fytyrën e zezë nga korrupsioni të Ramës. Ne jemi për luftë pa kompromis ndaj komisionit, luftë reale jo luftë me fjalë.  Nëse dëgjoni që thotë do luftoj korrupsionin, prisni edhe një aferë më të madhe në ditët në vijim”, tha Bardhi.

Deputetët shprehen skeptikë mbi qëllimin e vërtetë të ngritjes të komisionit, duke thënë se Rama nuk e ka prioritet luftën kundër korrupsionit.

Luan Baçi: Më duket një farsë rezoluta antikorrupsion. Një mazhorancë e korruptuar prej 12 vitesh dhe me një copë letër kërkon të pastrojë veten. Personalisht jam kundër.

Tomorr Alizoti: Diskutojmë me grupin. A është gabim bojkoti? Opozita nuk po gabon, është ekselent.

Ervin Salianji: Për mua nuk duhet të kemi asnjë pjesëmarrje në një komision që u bë në mënyrë të njëanshme, që u propozua si platformë elektorale nga Rama. Është hedhje hi sysh për qytetarët dhe ndërkombëtarët në gjithë situatën që ndodhen sot. Të besosh që Edi Rama, që ka ngritur një sistem korrupsioni dhe krimi të ngritur në piedestal dhe të future në institucionet më të rëndësishme, ka ndonjë merak për reformë. Nuk besoj që PD dhe opozita mund të përdoret si instrument për të luftuar SPAK nga Edi Rama. Ky është komision propagandistik. Nuk është bojkot, ne kemi marrë pjesë në reformën në drejtësi, në reformën territoriale.

Ferdinand Xhaferri: Gabimi fatal dhe shkrija e opozitës do të thotë marrja pjesë në komision. E vetmja kartë që e diskrediton këtë qeveri është  korrupsioni.

Kundër bojkotit të komisionin doli deputetja Dhurata Çupi, e cila tha se “Asnjë vend bosh që i takon opozitës nuk duhet të lihet bosh, por do të respektoj vendimin e grupit”.

Skeptike është shprehur edhe PD e Bashës, i cili ka kërkuar nga Rama që sqarojë se cili është qëllimi i vërtetë i komisionit dhe më pas do merret një vendim për pjesëmarrjen. Me shumë gjasë as PD s’do plotësojë vendet e dedikuara për të në komision, duke bojkotuar.

Sipas tekstit të rezolutës synimi është që Kuvendi të rrisë rolin e tij mbikëqyrës dhe llogarikërkues ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese.