Dy persona janë shoqëruar në policinë e Tiranës si të dyshuar për dhunën ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Policia ende nuk po jep detaje as emrat e te shoqeruarve te dyshuar si autore te ngjarjes

Ata janë shoqëruar si persona që kanë dijeni për ngjarjen, ndërsa autorët dyshohet se ishin me pagesë.

Kamerat e sigurisë kanë kapur 3 persona, të cilët pas ngjarjes janë larguar me një makinë. Policia falë këtyre pamjeve ka mundur të identifikojë një prej agresorëve si dhe mjetin e përdorur. Po punohet për identifikimin e dy të tjerëve.

Autorët mesohet se i janë afruar Mëngjesit dhe fillimisht e kanë qëlluar me shpulla. Avokati duket se i ka njohur autorët pasi fillimisht komunikon me ta dhe më pas ata e kanë qëlluar edhe me sende të forta.

Momentalisht po bëhen kontrolle në Tiranë me qëllim vënien e të identifikuarve në pranga.

Në lidhje me gjendjen e tij, avokatit i është ripërsëritur skaneri për të parë gjendje e hematomave. Ai po mbahet në observim në reanimacion.

Bluzat e bardha thonë se duhet të presin 48 orë për të parë si do të reagojnë parametrat shëndetësore të avokatit.

Ndërkohë, në orën 18:00 pritet një konferencë për shtyp e Policisë së Shtetit, që do të zbulojë më shumë detaje për ngjarjen.