Shefi i sektorit, Kushtrim Selimi dhe Regina Omeri janë përjashtuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas zbulimit të skandalit se denigronin figurën e drejtuesve të policisë përmes portalit Shqipnews.info. Vendimi për përjashtimin e tyre është marrë ditën e djeshme, 30 maj, sapo ka mbërritur njoftimi i Policisë së Tiranës për arrestimin e tyre për mashtrim kompjuterik.

Selimi është ende në kërkim nga uniformat blu, ndërsa zyrtarja tjetër e AMP-së Regina Omeri është arrestuar. Po ashtu në pranga ka rënë edhe gazetari Ervis Hasanaga, i cili publikonte lajmet e rreme të porositura nga Selimi për të denigruar figurën e drejtuesve të Policisë, ndërsa kërkonte të bëhej drejtor. 

Në portalin Shqipnews.info janë publikuar lajme për drejtuesit e lartë të Policisë Muhamet Rrumbullaku, Neritan Nallbati, Rebani Jaupin, Florjan Sulejmani. Skandali thellohet edhe më tej, pasi në skemën e shantazhit del i përfshirë edhe Kreshnik Selimi vëllai i shefit të sektorit pranë AMP, i cili është shef kundër narkotikëve në Shërbimin Informativ Shtetëror. Ky i fundit duke përfituar nga aksesi në informacion për shkak të detyrës, ia dërgonte këto informacione dhe i vëllai i publikonte.

Gazetari ka deklaruar se merrte një pagesë 600 euro dhe dëshmia e tij përputhet edhe me atë të Regina Omerit. Kjo e fundit ka cila ka dëshmuar se lajmet ia niste Kushtrim Selimit dhe më pas ajo ia niste gazetarit.