Si rrallë herë, me një vendim të unifikuar, operatorët e mediave në shenjë proteste lanë kamerat dhe refuzuan të filmojmë e tu drejtojnë mikrofonat deputetëve të Rithemelimit, të cilët u paraqitën në Gjykatën e Tiranës, ngjitur me SPAKU-n, teksa jepej masa e sigurisë, për të mbështetur një militant të dhunshëm që rrezikoi jetën e tyre dhe të gazetarëve në protestën e 28 majit para bashkisë së Tiranës.

Klevis Balliu, djali i botuesit të gazetës 55, Fahri Balliu, dhe deputetët Bledion Nallbati e Elda Hoti u shfaqën në gjykatë për të përkrahur Sokol Bushkolajn, 49-vjeçarin nga Thumana të arrestuar për episodin skandaloz të hedhjes së bombave molotov ndaj mediave që ndiqnin tubimin e nëntë të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë për dorëheqjen e kryebashkiakuat Erion Veliaj.

Operatorët e mediave bojkotuan të filmojnë planet e përfaqësuesve të fraksionit të Rithemelimit prezent në Gjykatë për personin që hodhi molotov të martën nën këmbët tyre në krye të detyrës

Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e përshëndeti këtë akt proteste dhe inkurajoi çdo punonjës të mediave të solidarizohet dhe të bëhen bashkë kur ata cënohen fizikisht dhe verbalisht.

Rithemelimi në bllok në disa reagime të mëparshme, jo vetëm që nuk mbrojti mediat, por doli në krah të protestuesit të dhunshëm, e madje sulmuan edhe shoqatat e gazetarëve që reaguan ashpër.

Në seancën që mbajti me dyer të mbyllura, gjyqtarja Marinela Osmani, refuzoi praninë e përfaqësuesve të Rithemelimit dhe caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Sokol Bushkolajt, edhe pse Prokurori Arben Agovi, kërkoi të qëndrojë në qeli.  Avokati pretendoi se Bushkolaj ditën e protestës ka qenë në Tiranë, por jo në tubim, dhe tha se nuk është ai personi i maskuar me molotov.

Policia e Shtetit i referoi në prokurori materialet procedurale edhe me veprën e “vrasjes me dashje”, të mbetur në tentativë, bazuar në faktin që me vetëdije dhe qëllim protestuesi lëshonte molotovët në drejtim të vendit ku ishin pozicionuar gazetarët dhe operatorët në protestë. Por Prokuroria e hoqi këtë vepër, dhe kërkoi arrest në burg vetëm për “shkatërrim të pronës me zjarr”, “goditje për shkak të detyrës” dhe “shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse”.

49-vjeçari Bushkolaj, i hetuar edhe më herët për dhunë në protestë dhe me masë “detyrim paraqitje” u filmua teksa hidhte si të ishin lule, të paktën 2 bomba molotov në drejtim të gazetarëve dhe operatorëve të cilët po transmetonin pamjet nga protesta.

Për ngjarjen e rrezikshme që ngjalli panik edhe në mesin e vetë protestuesve, nuk pati asnjë reagim për ndalje të dhunës nga politikanët që mbanin fjalë në protestë. Të vetmen thirrje e bëri policia e Shtetit me megafon