Businessman feels stressed when filed for bankruptcy, bankruptcy and execution concept.
Pas një kallëzimi të paraqitur katër vite më parë, Prokuroria e Tiranës javën e kaluar ngriti zyrtarisht akuza të shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes për disa përmbarues gjyqësorë privatë dhe pronarë të institucioneve financiare jobanka. Ky rast ngre shqetësime lidhur me përdorimin abuziv të mjeteve ligjore nga kompanitë e mbledhjes së borxheve dhe përmbaruesit gjyqësorë. Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë shprehen për ndryshime ligjore, që të saktësojnë veprimet procedurale të përmbaruesve në zbatim të urdhrit të ekzekutimit. Megjithatë, ekspertët mendojnë se sjelljet abuzive të subjekteve apo individëve të veçantë nuk e vënë në dyshim sistemin dhe sugjerojnë që debitorët të ndjekin në mënyrë strikte hapësirat që iu jep ligji për të mbrojtur interesat e tyre

Një person me pozicion drejtues në një institucion të rëndësishëm të pavarur në vend një ditë u përball me një lajm shqetësues: shtëpia e tij ishte vendosur nën sekuestro konservative, me urdhër të një përmbaruesi gjyqësor privat.

Kjo shkaktoi habi dhe shqetësim të madh te qytetari në fjalë, duke qenë se në dijeninë e tij nuk kishte detyrime të papaguara ndaj ndonjë pale tjetër.

Pasi u interesua, zbuloi se vendosja e sekuestros, në fakt, ishte vendosur për një detyrim të ndërtuesit të pallatit.

Qytetari e kishte blerë apartamentin me kontratë porosie. Në momentin që ndërtuesi e regjistroi objektin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe para se të bëhej kalimi në pronësi të qytetarëve që i kishin blerë (porositur), menjëherë një përmbarues privat urdhëroi sekuestrimin e tyre për borxhet e ndërtuesit.

Një qytetar nga Durrësi, një ditë gjen poshtë derës një letër me shkrim dore ku njoftohet nga kompania Micro Credit Albania (MCA) se apartamenti i tij mund të vendoset në sekuestro, për shkak të një detyrimi të pashlyer. I shqetësuar, telefonon numrin në letër që, pa pranuar të identifikohet, i kërkon të paraqitet pranë zyrave të kompanisë.

Pasi paraqitet, një punonjës e njofton se bëhet fjalë për një detyrim kredie të pashlyer. Qytetari insiston se nuk ka asnjë detyrim të pashlyer, kompania më në fund arrin të sqarojë se bllokimi nuk ishte vendosur mbi pronën e tij, por mbi një apartament tjetër në të njëjtin pallat!

Një qytetar para shumë vitesh kishte marrë një hua në një bankë tregtare dhe kishte lënë si kolateral automjetin. Pas pamundësisë për të shlyer kredinë, banka vijoi me ekzekutimin e garancisë.

Personi në fjalë mendonte se me marrjen e automjetit ishte shlyer me bankën, por, në fakt, automjeti u shit në ankand me një vlerë më të vogël se detyrimi i mbetur.

Për këtë arsye, qytetari ngeli debitor ndaj bankës për një shumë të vogël. Kjo shumë ngeli për vite në regjistrat e bankës dhe më në fund u shit si pjesë e një portofoli kredish të këqija, kuptohet e shumëfishuar, për shkak të akumulimit të interesave dhe penaliteteve.

Një qytetar tjetër kishte marrë një kredi konsumatore në një bankë tregtare. Pas disa vonesave në shlyerje dhe njoftimeve të bankës, më në fund qytetari shlyen detyrimin e mbetur ndaj bankës.

Por, shlyerja e detyrimit nuk reflektohet në kohë në sistemet e bankës dhe detyrimi në fjalë shitet edhe në këtë rast si kredi e keqe, te kompania e mbledhjes së kredive të këqija.

Pas shumë vitesh, qytetari do të shiste pronën dhe aplikon për një kartelë të freskuar të pasurisë. Aty zbulon që prona e tij ishte vendosur në sekuestro konservative me urdhër të një përmbaruesi privat!

Këtu filloi odiseja për të sqaruar se në fakt ai e kishte shlyer detyrimin dhe bllokimi i pasurisë ishte bërë në mënyrë të padrejtë.

Por, detaje të dala nga dosja hetimore e hapur prej Prokurorisë së Tiranës, kanë treguar se për disa qytetarë, gjërat kanë shkuar edhe më larg.

Pasuritë e tyre të paluajtshme janë nxjerrë në ankand dhe në përfundim të procesit janë marrë në zotërim nga kreditori MCA. Ankandet janë zhvilluar pa dijeninë e tyre, madje disa prej debitorëve janë shprehur se ndërkohë kishin edhe marrëveshje për shlyerjen e detyrimit me kompaninë në fjalë.

Këto janë vetëm disa shembuj të situatave shqetësuese dhe shpeshherë paradoksale ku janë ndodhur qytetarë të ndryshëm, për shkak të problemeve në procesin e mbledhjes së kredive të këqija.

Deri në vitin 2010, Shqipëria kishte probleme të mëdha në procesin e mbledhjes së detyrimeve të papaguara. Shërbimi përmbarimor ofrohej vetëm nga shteti.

Bankat dhe institucionet financiare ankoheshin për probleme shumë të mëdha në nxjerrjen e urdhrave të ekzekutimit nga gjykatat dhe më tej në zbatimin e tyre nga shërbimi përmbarimor. Kjo krijoi vështirësi serioze në mbledhjen e kredive të këqija dhe në mënyrë të tërthortë e ndikoi negativisht kreditimin e ekonomisë.

Pas ngritjes së shërbimit përmbarimor privat dhe ndryshimeve ligjore që u ndërmorën pas vitit 2015, si pjesë e paketës për trajtimin e kredive me probleme, situata u përmirësua ndjeshëm.

Megjithatë, rasti i MCA mund të krijojë perceptimin se, nga një sistem që nuk u jepte siguri të mjaftueshme kreditorëve, mund të kemi kaluar në ekstremin e kundërt, në një gjendje ku tashmë janë debitorët ata që nuk gëzojnë mbrojtje të mjaftueshme nga veprimet abuzive të kreditorëve apo përmbaruesve gjyqësorë.

MCA dhe shoqëri përmbarimore, nën akuzë për skemë mashtruese dhe piramidale

Javën e kaluar, Prokuroria e Tiranës njoftoi zyrtarisht hapjen e procedimit për veprën penale “Skema mashtruese dhe piramidale” të parashikuar nga neni 143/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, si pjesë e kallëzimit penal nr.3464, datë 25.02.2020, i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga aktet e administruara, rezulton se këto shoqëri blenë nga “ProCredit Bank Shqipëri” 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej 7.299.203 eurosh dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje, si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdorur te kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Sipas prokurorisë, këto kredi janë dhënë në kushtet e mashtrimit, sepse MCA ka qenë në dijeni të pamundësisë financiare të likuidimit nga ana e debitorëve dhe zakonisht, ata kanë qenë të regjistruar në regjistrin e kreditorëve me probleme, që mbahet nga Banka e Shqipërisë.

Në interpretimin e prokurorisë, vjedhja është kryer në kushtet e mirëbesimit, duke mashtruar huamarrësit se me marrjen e kredisë te MCA për të likuiduar kredinë e mëparshme do të kishin lehtësime në pagesën e kësteve. Ky fakt më vonë nuk ka rezultuar i tillë, por ka rënduar edhe më shumë gjendjen financiare të debitorëve.

Sipas Prokurorisë, këto institucione financiare gjithashtu aplikonin një kamatëvonesë prej 2% + 8%, por kjo është bërë në mënyrë të kundërligjshme për çështje që i takonin një periudhe përpara përcaktimit me ligj të kësaj norme.

Aplikimi i kamatës ligjore 2% + 8% është parashikuar në ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile, që janë bërë në vitin 2016. Konkretisht, sipas ndryshimeve të miratuara në atë vit, “kur titulli ekzekutiv, për të cilin lëshohet urdhri i ekzekutimit, është akt për dhënie kredie bankare ose detyrime monetare, Gjykata duhet të parashikojë kamatat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”.

Parashikimi i “kamatës ligjore 2% + 8%” gjen referencë në ligjin nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare” dhe këtë e bën Gjykata dhe jo përmbaruesi, pasi vlerësimin dhe shumën e përcaktuar në titullin ekzekutiv e përcakton vetëm gjykata.

Nga aktet hetimore rezulton e provuar se “kamata ligjore 2% + 8%” është përdorur në formë masive në të gjitha shkresat e këtyre përmbaruesve të kallëzuar, dhe në të gjitha rastet lidhen me urdhra ekzekutimi, pra vendimeve të gjykatave që kishin dalë përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”.

Urdhrat e ekzekutimit objekt hetimi dhe për të cilët ishte përdorur kjo kamatë, në shumicën e tyre dërrmuese, ishin lëshuar në periudhën 2005-2015.

Gjithashtu, në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Rast tipik i kësaj natyre është çështja ku për një detyrim të prapambetur prej 348 mijë lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.

Sipas dosjes së Prokurorisë, një veprim i kryer në mënyrë të përsëritur nga përmbaruesit e akuzuar është vendosja e sekuestros mbi një numër të madh të pasurive të paluajtshme, që e tejkalonin disa herë vlerën e detyrimit të debitorit.

Sipas Prokurorisë, një veprim i tillë është jashtë çdo kërkese ligjore dhe logjike për ekzekutimin e detyrimit në masën e përafërt të plotësimit të tij.

Për sa më sipër, prokuroria ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës për tre përmbarues gjyqësorë privatë, ndërkohë që për një përmbaruese tjetër është ngritur akuza e vjedhjes. Për një përmbaruese të katërt gjyqësore është ngritur akuza për veprën penale të vjedhjes.

Gjithnjë për veprën penale të vjedhjes akuzohen edhe tre administratorë të shoqërive përmbarimore private, si dhe aksionerët e vetëm të dy institucioneve financiare jobanka, Final dhe MicroCredit Albania.

Për të gjithë personat e akuzuar, Gjykata e Tiranës ka vendosur masë sigurie, arrest me burg në rastin e të pandehurve burra dhe arrest në shtëpi për të pandehurat gra.

Megjithatë, ajo që të bën përshtypje është që kërkesa për masë sigurie ndaj personave të mësipërm është bërë pas më shumë se katër vjetësh nga paraqitja e kallëzimit penal nga ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Dhoma e Përmbaruesve: Drejtësia e vonuar, Banka e Shqipërisë kishte informacion

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë doli javën e kaluar me një njoftim zyrtar për çështjen e skemës mashtruese të ngritur nga disa institucione financiare, shoqëri përmbarimore dhe përmbarues gjyqësorë privatë.

Në reagimin e saj, kjo Dhomë shprehet se ka qenë pikërisht ajo, që në vitin 2020, e cila ka referuar dhe faktuar skemën mashtruese të ngritur nga shoqëritë e mikofinancës dhe shoqëritë përmbarimore, në një material të depozituar në Ministrinë e Drejtësisë.

Ajo sqaron gjithashtu se shtatë nga të akuzuarit, për të cilët është kërkuar masë sigurimi personal nga prokuroria, nuk janë pjesë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve që prej 5-7 vitesh më parë.

Ish-përmbaruesve Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Jordisa Dervishi, Alketa Tanushi, u është hequr licenca në vitin 2017, ndërsa ish-përmbaruesve Kejda Seferi dhe Albert Gega, u është hequr licenca në vitin 2019.

Edmond Mato, ish-ortak i vetëm i Star/Fs nuk ka qenë asnjëherë përmbarues. Shoqëria “ShP ZiG” sh.p.k. me Nuis L02110003A është pezulluar në 18.5.2018. Sot figuron me status “shoqëri në likuidim e sipër” (15.4.2024 – 15.4.2025).

Shoqëria “FS” figuron me status “çregjistruar” (7.8.2023). Shoqëria “Flash” sh.p.k. figuron me status “çregjistruar” (27.6.2022). “ADCA” sh.p.k. figuron me status “pezulluar” (24.11.2023).

Dhoma vëren se ndërkohë nuk ka asnjë kërkesë nga prokuroria për administratorët e shoqërive Micro Credit Albania (vetëm për pronaren, Elda Ibro), Flash, ADCA.

“Raporti për ndjekjen nga Prokuroria e Shtetit dhe referimi i veprave penale lidhur me Skemën shtrënguese të kredimarrjes nëpërmjet mashtrimit publik bashkë me propozimet dhe rekomandimet përkatëse i është drejtuar ministrit të Drejtësisë, në 12.2.2020, bashkë me një material të gjerë dokumentar, pikërisht nga një Grup pune i iniciuar nga Dhoma Kombëtare, ku u faktua pa asnjë ekuivok krijimi i skemës dhe mashtrimi i qytetarëve nga bashkëpunimi i “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “Shp Zig”, “Fs”, “Flash” etj.

Mes rekomandimeve dhe propozimeve të raportit drejtuar ministrit të Drejtësisë së asaj kohe ishte Dhoma që kërkoi të njoftohej menjëherë Banka e Shqipërisë, që të shqyrtonte menjëherë aktivitetin e Micro Credit Albania (në atë kohë ishte sh.a – jo sh.p.k) për mënyrën se si lidheshin kontratat e kredidhënies nga ky institucion jobankë, për të gjitha rastet e prezantuara në raport dhe për kryerjen e një procesi riverifikimi të procedurës së licencimit të këtij institucioni financiar jobankë.

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve i kërkoi ministrit të asaj kohe nëpërmjet raportit dhe jo vetëm, që të njoftoheshin të gjitha mediat audiovizive për zbulimin e skemës së mashtrimit publik, për të ndihmuar qytetarët që mund të kishin rënë pre e aktivitetit kriminal të pesë shoqërive, që në bashkëpunim kishin krijuar një skemë masive mashtrimi, që po preket pak vetëm sot, pas 4.3 vitesh”, thuhet në reagimin e Dhomës së Përmbaruesve.

Sipas saj, skema e mashtrimit ka ende shumë protagonistë të tjerë, të cilët janë aktivë sot, të paprekur, të mirorganizuar, që po vazhdojnë të krijojnë pasoja publike duke e dërguar skemën e nisur në vitin 2015, në nivele fundore kriminale.

Gjithashtu, Dhoma akuzon Bankën e Shqipërisë se ka pasur dijeni të plotë të zhvillimit të kësaj skeme, mes 5 shoqërive të lidhura me njëra-tjetrën, por nuk ka vepruar, duke e mbajtur këtë aktivitet kriminal brenda perimetrit të “mbikëqyrjes” së saj, brenda perimetrit të sigurisë së zhvillimit pa pengesa të këtij aktiviteti dhe brenda perimetrit të përgjegjësisë direkte të saj.

“Shumica e trupës së ndershme të përmbarimit privat në Shqipëri nuk kanë asnjë lidhje me 7 ish-përmbaruesit e arrestuar apo me 7 të tjerë që mund të kenë shitur vulat e profesionit bashkë me shpirtin e tyre, për të qenë ‘vrasësit’ me pagesë të skemave të mikrokredisë që kanë masakruar financiarisht dhe shpirtërisht qytetarin dhe fshatarin e thjeshtë shqiptar.

Ashtu si në çdo profesion apo fushë të jetës edhe ne, veçanërisht ne, kemi pasur apo kemi mes nesh ata që s’duhet të ishin apo ata që s’duhet të jenë.

Por ne, i refuzojmë dhe i denoncojmë ashtu si bëmë pareshtur gjithë këto vite, deri sot. Inkurajojmë SPAK të ndërmarrë veprime aktive për të izoluar dhe për të minimizuar sadopak pasojat e rënda që kanë ardhur për mijëra qytetarë shqiptarë, për shkak të lejimit të funksionimit të kësaj skeme të mashtrimit masiv, nga përgjegjësit e identifikuar të saj”, – thuhet në reagimin e Dhomës së Përmbaruesve.

Ministria e Drejtësisë nuk komenton, çështjet po ndiqen penalisht

Për një informacion më të hollësishëm lidhur me problematikat e evidentuara nga Ministria e Drejtësisë në aktivitetin e përmbaruesve gjyqësorë, “Monitor” iu drejtua me një kërkesë për prononcim këtij institucioni.

Përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë ishte se nuk mund të japë hollësi rreth kësaj çështjeje, duke qenë se ato po ndiqen penalisht në dy çështje të veçanta, përkatësisht nga Prokuroria e Tiranës dhe nga Prokuroria e Posaçme.

Burime nga kabineti i ministrit u shprehën se i vetmi reagim publik për momentin do të ngelen deklaratat e Ministrit, Ulsi Manja, në Komisionit Kuvendor të Ligjeve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga deputetët, ministri Manja tha më datë 10 maj se ka dy çështje që po ndiqen penalisht, njëra në Prokurorinë e Tiranës dhe një në SPAK, në lidhje me këto problematika.

Manja shtoi se gjatë një viti Ministria e Drejtësisë ka hequr 11 licenca të përmbaruesve gjyqësorë privatë.

Ministri tha se për shkak të hetimit nuk dëshiron të japë detaje të mëtejshme për çështjen, por u shpreh se këto probleme janë ndjekur me përparësi nga institucioni i tij.

Sipas tij, ka një grup të përmbaruesve privatë që janë përfshirë në veprime të jashtëligjshme të cilëve u është hequr licenca, ndërsa shtoi se ka mijëra dosje të mbledhjes së detyrimeve të qytetarëve që nuk po i vihen në dispozicion Ministrisë.

Ndërkohë, ai u shpreh se ekziston një nevojë për rregullime ligjore, që do të propozohen së shpejti nga Ministria e Drejtësisë, por pa dhënë hollësi të mëtejshme lidhur me çështjet që duhen adresuar me ndryshime ligjore.

BSH: Duhen ndryshime ligjore për të kufizuar penalitetet mbi kreditë dhe për të rregulluar veprimet e përmbaruesve

Banka e Shqipërisë, në një prononcim të posaçëm për “Monitor”, ka sqaruar në mënyrë të hollësishme rolin e saj në raport me procesin e mbledhjes së kredive me probleme, duke sugjeruar njëkohësisht disa ndryshime ligjore, me qëllim për të adresuar disa nga problematikat që janë shfaqur në këtë proces vitet e fundit.

Nga 26 subjekte financiare jobanka të licencuara nga Banka e Shqipërisë, 6 prej tyre, krahas aktivitetit kredidhënës (kredi dhe mikrokredi) kryejnë paralelisht edhe aktivitetin e shitblerjes së portofolave të kredive me probleme.

Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, në shtator 2015, miratuan “Planin kombëtar për reduktimin e kredive me probleme”.

Një ndër detyrat e Bankës së Shqipërisë në këtë plan, ishte pikërisht rregullimi dhe licencimi i shoqërive që angazhoheshin në blerjen e kredive me probleme, praktikë kjo e njohur ndërkombëtarisht dhe e sugjeruar nga ekspertët e FMN dhe Bankës Botërore.

Në atë periudhë, disa nga institucionet financiare të mësipërme, krahas aktivitetit kredidhënës për të cilin ishin licencuar nga Banka e Shqipërisë, kishte kryer edhe blerje të disa portofolave të kredive me probleme, nga banka të nivelit të dytë.

Në atë moment, blerja e kredive me probleme ishte një praktikë e ligjshme, e cila rregullohej vetëm nga dispozitat e Kodit Civil mbi kalimin e kredive.

Me ndryshimet rregullatore të marsit 2016, blerja e kredisë u konsiderua një formë kredidhënieje dhe arsyeja kryesore e këtij ndryshimi rregullator ishte pasi përmes licencimit, edhe aktiviteti i shitblerjes së kredive u vendos nën kontrollin të Bankës së Shqipërisë, duke iu nënshtruar të gjitha detyrimeve rregullatore dhe mbikëqyrëse të saj, duke përfshirë: raportimin në Regjistrin e Kredive, raportimet periodike, administrimin e rrezikut nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave nga jashtë.

Pas këtij ndryshimi u njoftuan bankat e interesuara se procesi i mbledhjes së kredive me probleme është pjesë e procesit të kredidhënies dhe si i tillë mund të kryhet vetëm nga subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë.

“Në këtë pikë dëshirojmë të theksojmë se marrëdhëniet e mëtejshme tregtare midis bankave të nivelit të dytë dhe këtyre institucioneve, në lidhje me kushtet e shitblerjes së portofolit të kredive me probleme, nuk ishin dhe nuk janë kompetencë e Bankës së Shqipërisë, por ato rregullohen midis palëve dhe nga Kodi Civil dhe kontrata.

Si rrjedhojë, portofolat e kredive me probleme u blenë kryesisht nga bankat e nivelit të dytë dhe në total kanë qenë rreth 96.500 klientë, pjesë e këtij portofoli, dhe të cilët janë trajtuar nga këto kompani. 25.200 klientë i kanë mbyllur totalisht detyrimet me këto kompani, ndërkohë që pjesa e mbetur vazhdon të ndiqet prej tyre”, thuhet në prononcimin e Bankës së Shqipërisë.

Në vitet që vijuan, zgjerimi i këtij sektori u shoqërua edhe me përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e rregullator ekzistues, ku u përfshinë kërkesa të reja rregullatore për të normuar më mirë procesin e licencimit dhe provigjionimit të kredive të blera, si dhe rregullime që synonin mbrojtjen e konsumatorit dhe etikën në dhënien dhe administrimin e kredive në sistem.

Konkretisht, në fund të vitit 2021, Banka e Shqipërisë miratoi ndryshime rregullatore që kufizojnë masën e penaliteteve që i ngarkohen një kredimarrësi të kredisë konsumatore në 30% të shumës së detyrimit të papaguar, si dhe miratoi vendosjen e një kufiri në normat e interesit, përmes përfshirjes në rregullore të konceptit të “NEI-t maksimal”, si një kufi i sipërm për normat efektive të interesit që ofrohen për kreditë konsumatore.

Nga ana tjetër, nga momenti i licencimit, të gjithë këto subjekte u janë nënshtruar në mënyrë të rregullt inspektimeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, nga jashtë dhe në vend, ekzaminimeve të plota dhe të pjesshme, si dhe një monitorimi 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë.

Subjekt i kësaj mbikëqyrje kanë qenë të gjitha ato aspekte të cilat janë tagër dhe brenda kompetencave të Bankës së Shqipërisë dhe që ushtrohen rregullisht kundrejt çdo institucioni të mbikëqyrur prej saj, bankë dhe jo-bankë.

Mes të tjerash, objekt inspektimesh ka qenë edhe zbatimi i kërkesave ligjore e rregullatore për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit dhe informimit dhe transparencës me klientët.

Në këtë kuadër verifikohet përputhshmëria e kontratave me kërkesat rregullatore, zbatimi i tyre në praktikë (aplikimi i kushteve përkatëse në sistemet e subjektit që përllogarisin interesa, komisione, penalitete, etj.), metodologjitë e llogaritjes së interesave dhe komisioneve, publikimi i tyre në ambientet e subjektit dhe në faqen përkatëse të internetit, trajtimi i ankesave të klientëve dhe koha e përgjigjes ndaj tyre, krahasimi me ankesat që kanë mbërritur në Bankën e Shqipërisë, etj.

Përditësimi i kuadrit rregullator ka përfshirë edhe masat që mund të marrë Banka e Shqipërisë ndaj subjekteve që nuk zbatojnë kërkesat e kuadrit rregullator mbikëqyrës. Këto masa variojnë nga rekomandimet për ndreqjen e shkeljeve, pezullimin apo largimin e drejtuesve të subjektit, deri në pezullimin e veprimtarisë dhe revokimin e licencës.

Konkretisht, në rastin e subjektit MCA, ky i fundit iu është nënshtruar në mënyrë të rregullt të gjitha inspektimeve të mësipërme nga ana Bankës së Shqipërisë. Në përfundim të tyre, për adresimin e mangësive të evidentuara, subjektit iu lanë një numër rekomandimesh për ndjekje.

Në vitin 2022, pas konstatimit se rekomandimet nuk ishin zbatuar dhe problematikat nuk ishin adresuar në mënyrë të mjaftueshme, Banka e Shqipërisë vijoi me përshkallëzim të masave ndaj këtij subjekti, duke pezulluar ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies (përfshirë këtu edhe blerjen e kredive të reja), për të cilën është licencuar subjekti.

Në ekzaminimin e fundit (dhjetor 2023), u mor një masë më e rëndë ndaj MCA, sërish i quajtur pezullim, por që e vendosi MCA në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës nga Banka e Shqipërisë.

Konkretisht, MCA iu ndalua të ushtronte veprimtaritë për të cilat ishte licencuar, duke iu lejuar vetëm shitja e portofolit që administronte te subjekte të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar këtë aktivitet.

“Pezullimi dhe revokimi i licencës” janë masat administrative më të rënda që mund të marrë Banka e Shqipërisë në rast se konstaton shkelje gjatë ushtrimit të funksionit mbikëqyrës.

Të dyja këto masa, kanë për qëllim që: në rastin e pezullimit pas konstatimit të shkeljeve, subjekti i licencuar të kufizohet në ushtrimin e një apo disa veprimtarive të licencuara për një periudhë kohe deri në ndreqjen e shkeljeve dhe plotësimin e rekomandimeve, ndërsa në rastin e revokimit të licencës të mos kryejë më veprimtarinë financiare për të cilën është licencuar.

Arsyeja pse revokimi është një masë e cila zgjidhet të merret e fundit është pasi, një revokim i licencës i nxjerr këto kompani jashtë juridiksionit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke e rënduar pozicionin e kredimarrësve në raport me subjektin në fjalë.

“Kjo pasi, së pari, revokimi nuk do t’i çlironte kredimarrësit nga shlyerja e detyrimit tyre; këto detyrime përbëjnë tituj ekzekutivë dhe si të tillë janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor, edhe pasi licenca është revokuar.

Së dyti, revokimi i licencës ia bënte të pamundur Bankës së Shqipërisë trajtimin e ankesave të klientëve ndaj këtyre kompanive, pasi këto subjekte as do të mbikëqyreshin më nga Banka e Shqipërisë dhe as do të kishin ndonjë detyrim për raportim.

Së treti, revokimi do të ndërpriste çdo raportim të këtyre kompanive në Regjistrin e Kredive dhe çdo komunikim të tij me Bankën e Shqipërisë. Edhe në rast të shlyerjes së plotë të detyrimit kundrejt tyre, statusi i kredimarrësve do të mbetej i papërditësuar në Regjistrin e Kredive, duke i vendosur ata padrejtësisht, në një status penalizues.

Së fundmi, revokimi i licencës do të krijonte edhe pritshmërinë e gabuar të kredimarrësve se nëpërmjet revokimit të licencave të subjekteve kredidhënëse mund të shuhet edhe detyrimi i tyre.

Kështu, kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila do të risillte rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, duke rivendosur në rrezik kursimet e qytetarëve e rrjedhimisht stabilitetin financiar të vendit”, – shprehet Banka e Shqipërisë.

Aktualisht, ky subjekt ka në portofolin e tij rreth 19 mijë klientë kredimarrës. Që nga momenti i licencimit, deri më sot (2016-2024), në Bankën e Shqipërisë janë depozituar dhe janë trajtuar vetëm rreth 85 ankesa ndaj këtij subjekti.

“Të gjitha këto ankesa, kanë marrë një vëmendje maksimale nga Banka e Shqipërisë në trajtimin e tyre, por gjithmonë në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator të institucionit. E themi këtë, pasi pjesa dërmuese e këtyre ankesave lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor.

Kjo konfirmohet edhe nga shqetësimet e përcjella në Bankën e Shqipërisë nga bankat në lidhje me numrin tejet të lartë të urdhrave të sekuestrove që depozitohen, çdo ditë, nga shërbimi përmbarimor dhe me bllokimin përtej afateve të llogarive të debitorëve.

Mandati i Bankës së Shqipërisë është të mbikëqyrë dhe të rregullojë pjesën e tregut financiar brenda tagrave që i njeh ligji, si dhe të adresojë fenomenet e padëshiruara me zgjidhje gjithëpërfshirëse në nivel sistemik, duke mbrojtur stabilitetin financiar.

Veprimtaria e shërbimit përmbarimor, shtetëror apo privat, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Kuadri ligjor nuk i jep Bankës së Shqipërisë kompetencën të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve.

Kjo është një kompetencë që ligji ia njeh vetëm gjykatës. Për rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli nga Banka e Shqipërisë, e cila nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë.

Në këtë pikë theksojmë se, autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer.

Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë në marrëdhëniet që MCA ka me nënkontraktorët e saj, siç është rasti i shërbimit përmbarimor”, – shprehet Banka e Shqipërisë.

Krahas sa më sipër, Banka e Shqipërisë në vazhdimësi shprehet se ka rekomanduar dhe vazhdon të sugjerojë disa aksione, të cilat do të sillnin një përmirësim të qenësishëm të gjithë këtij procesi, por që kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera.

“Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë; hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka; përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullatore të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit; shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionere, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me dy nivele; regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofolave, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e interesit”, – shprehet Banka e Shqipërisë.

A janë të mbrojtur ligjërisht qytetarët?

Por, a jemi vërtet në kushtet kur ligji nuk iu jep mbrojtje të mjaftueshme debitorëve? Bledar Cenameri, avokat i studios ligjore CLO Legal Solutions, nuk është i këtij mendimi.

Z. Cenameri thotë se, në shumicën e rasteve, arsyeja pse arrihet në një proces të ekzekutimit të detyrueshëm është sepse debitorët nuk janë bashkëpunues dhe nuk tregojnë vullnet për t’iu përgjigjur detyrimeve të tyre.

“Mendoj se asnjë kreditor, aq më pak institucionet financiare, nuk ka interes të arrijë në proces të ekzekutimit të detyrueshëm, të bllokojë llogari apo prona. Kreditori ka interes të marrë mbrapsht paratë e veta.

Nga dijenia dhe përvoja ime, të gjithë kreditorët përpiqen të mbledhin detyrimin pa arritur në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm. Ka njoftime, ka komunikim, mund të ketë negociata, etj. Pra, të gjithë e dimë, në rast se dështojnë të gjitha këto përpjekje, do të thotë se debitori nuk ka dëshirë të paguajë.

Unë vërej se ka përpjekje për të ndëgjegjësuar debitorin për të respektuar kushtet e kontratës. Në përgjithësi, kreditorët përpiqen në të gjitha mënyrat për ta shmangur procesin e ekzekutimit të detyrueshëm. Madje, ka raste që tentohet që çështja të zgjidhja të gjendet nëpërmjet ndërmjetësimit.

Kur nuk ka bashkëpunim apo reagim nga debitori, atëherë kalohet në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm dhe është e drejta e secilit të kërkojë të drejtën e tij ligjore”, – thotë z. Cenameri.

Sipas tij, procesi ligjor për mbledhjen e detyrimit ka kostot e veta. Kur del urdhri i ekzekutimit, ka kosto të mëtejshme, që parapaguhen nga kreditori dhe që vetëm eventualisht, nëse ekzekutimi rezulton i suksesshëm, i merren mbrapsht debitorit.

“Ligji detyrimin nga kontrata e kredisë e përcakton si titull ekzekutiv dhe instituti i ekzekutimit të detyrueshëm fillon me kërkesën, të shoqëruar me prova. Megjithatë, nxjerrja e urdhrit të ekzekutimit nuk i shteron rrugët ligjore për debitorin.

Në rast se ai ka një pretendim mbi detyrimin që parashikohet në urdhrin e ekzekutimit, ai mund të ngrejë padi për kundërshtim të veprimeve përmbarimore.

Ti i ke dhënë besim një debitori, i ke dhënë hua mjetet e tua financiare dhe për t’i marrë mbrapsht duhet të shpenzosh për një proces ligjor që po e shkakton debitori, duke mos kthyer detyrimin.

Procesi i ekzekutimit të detyrueshëm është i kushtueshëm dhe kërkon kohën e vet. Mund të mos bllokosh dot para, por detyrohesh të bllokosh një send, që duhet vlerësuar dhe vlerësimi ka kosto më vete”, – thotë ai.

Z.Cenameri shprehet se raste të veçanta gabimesh apo abuzimet, qoftë nga institucionet financiare apo përmbaruesit gjyqësorë, nuk mund të përjashtohen. Megjithatë, ai është i mendimit se çdo qytetar ka mjete të mjaftueshme ligjore për të mbrojtur interesat e veta.

Banka e Shqipërisë revokon licencat e Final dhe MCA

Më datën 23 maj, Banka e Shqipërisë njoftoi vendimin për të revokuar licencat e institucioneve financiare jobanka Micro Credit Albania (MCA) dhe Final.

Vendimi i Guvernatorit, Gent Sejko, u mor pasi Gjykata e Tiranës, me kërkesën e Prokurorisë, vendosi masë arresti ndaj ortakëve të vetëm të dy shoqërive, përkatësisht Elda Ibro dhe Arben Meskuti.

Vendimi është marrë në zbatim të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”.

Sipas nenit 14 të rregullores, Banka e Shqipërisë mund të pezullojë ose të revokojë licencën e subjektit financiar jobankë ose të institucionit financiar të mikrokredisë, në rast se nuk përmbush më kushtet në bazë të të cilave ai është licencuar.

Sipas argumentimit të Bankës së Shqipërisë, masa e arrestit ndaj këtyre dy personave i vendos në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili, ndër të tjera, konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht.

Banka e Shqipërisë njoftoi se po adreson gjithashtu kuadrin ligjor dhe rregullator lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”.

credit/Revista Monitor