BE dhe SHBA i janë kundërvënë edhe një herë Albin Kurtit duke marrë nominalisht në mbrojtje ndërmjetësuesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak, të cilin shefi i qeverisë në Prishtinë e ka akuzuar me një gjuhë të ashpër.

Kurti tha gjatë një konferencë shtypi të hënën se emisari Lajçak po ia mban krahun Beogradit zyrtar. “Lajçaku e Vuçiçi duket sikur të jenë koordinuar me një qëllim të vetëm, të bëjnë të pamundur një skenar ku marrëveshja zbatohet në tërësinë e saj. Ata po i japin jetë një skenari alternativ ku gjysma e marrëveshjes që përbën pjesën më të civilizuar fqinjësore dhe evropiane, të mos zbatohet asnjëherë” tha kryeministri kosovar duke nënkuptuar se synimi i tyre është vetëm themelimi i asocacionit të komunave serbe duke anashkaluar atë pjesë të planit franko gjerman që e obligon Serbinë të njohë ‘de facto” Kosovën. Albin Kurti që theksoi se kjo lojë ‘e mbyt marrëveshjen vazhdoi: “Kanë shkuar shumë larg në goditjen e Kosovës”. Nuk mund të shtrembërohet gjykimi im duke hedhur hi syve. Ose e zbatojmë gjithë marrëveshjen, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur”.

Mirëpo menjëherë pas këtyre deklaratave të forta edhe Brukseli edhe Uashingtoni janë solidarizuar me ish ministrain e jashtëm Sllovak, një vend që nuk e njeh Kosovën, Miroslav Lajcak. “BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajcak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dy rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian.

Përkrahje për emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Shtetit i ka vlerësuar punën e Lajcak duke thënë e njohin përpjekjet e palodhura të tij në kuadër të procesit të normalizimit Kosovë-Serbi.
“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës.