BERISHA: Këta janë mafiozët në pushtet. Është ky narkoshtet që ne denoncuam para jush me forcën më të madhe dhe në opinionin publik botëror, që me vendimin e kanabizimit të Shqipërisë, që dikton cdo ligj, cdo kod, cdo rregull. Është ky narkoshtet që me fuqinë e tij ndërmori agresionin më të pashembullt ndaj shqiptarëve, i zboi ata si kurrë në histori nga vatrat e tyre. Është ky shtet i krimit dhe mafias, që nuk njeh norma, ligje, kushtetutë. Që mobilizon mafian ndërkombëtare në një sulm të pashembullt për shkatërrimin e opozitës shqiptare si zëdhënëse e vetme e qytetarëve të ndershëm shqiptarë. Është ky narkoshtet me në krye Ramën, që po ndan me familjarët e vet fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve. Ahmetaj është dëshmitar okular, që i ka parë në zyra Pëllumb Gjokën, Troplinët, Avdylët, Rraja, Dervishët, Çelën, duke marrë urdhra kundër opozitës. Bajrat morën urdhra për vjedhjen e votave.

Në mënyrë të përsëritur, kemi denoncuar dyshimet shumë të mëdha që ekzistojnë në përdorimin e Ismailit, avionit taksi të Ramës për transportin me baule diplomatike të ngarkesave të mëdha të narkoeurove dhe kokainës. Jemi në një narkoshtet që me tentakulat e tij ka zhdukur votën e lirë, po plaçket pasuritë e shqiptarëve.

Kjo ishte vetëm maja e ajsbergut të narkoshtetit shqiptar, se nëse do të njiheshit me dosjet e 7 familjeve mafioze që u larguan nga vendi pa u hyrë ferra në këmbë, nëse do njiheshit me dosjen McGonigal, e mafias që me Ramën vepron kundër shqiptarëve, do të kuptonit që ajo që keni dëgjuar është vetëm 1% e asaj që ju kërcënon qenien tuaj, fëmijët tuaj, pasuritë tuaja.

Ju bëj thirrje, të enjten, në orën 11:00 të grumbullohemi para parlamentit të krimit për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të narkoshtetit shqiptar Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Beteja jonë është betejë për jetë a vdekje për të ardhmen tonë. Ju ftojmë të lini çdo gjë, të mblidhemi para Parlamentit. O sot o kurrë, fitore.