Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Prishtinë me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit simbol të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri iu adresua një prej paneleve të Konferencës, të titulluar “Shtëpia nuk mbahet pa miq”, së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës dhe më tej, mes të cilëve ish Kryeministri Italian Massimo D’Alema. Presidenti i Akademisë Papnore për Jetën Vincenzo Paglia dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier.

“Udhëheqja e Rugovës gjatë asaj periudhe pati një aftësi shumë të rrallë për ta lidhur fatin e vendit të tij të panjohur me fatin e botës demokratike, për ta integruar shqetësimin ekzistencial të një province të shtypur të ish Jugosllavisë, në gjeopolitikën globale, duke bërë bashkë qëllimin e lartë dhe mjetin e urtësisë dhe duke e kthyer në kapital çdo hap të gabuar të rivalëve dhe të armiqve, si dhe duke i dhënë Kosovës të vetmen pasuri natyrore të mundshme, miqtë e saj ndërkombëtarë”, u shpreh mes të tjerash kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama: Shumë e nderuar zonja Rugova,

Të nderuar familjarë të presidentit Rugova,

I dashur Lumir,

Dear prime minister D’Alema,

Dear monsignor Paglia,

Dhe do ma lejoni dhe këtë, shumë i dashur miku im i kohëve shumë të vjetra Lutfi Haziri,

Të nderuar miq, ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë e mirëseardhur për të ndarë me ju një opinion mbi njeriun që e ka shënjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq dhe të domosdoshme, sintezë e pashoqe mes revolucionarit me urtësinë e burrë-shtetasit dhe burrë-shtetasit me idealizmin e revolucionarit.

Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore të historisë sonë, një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhës romantike, një politikan si i rrahur me vajin dhe me uthullën e odës patriarkale, një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme, një figurë që dhe sot e gjithë ditën është tejet e vështirë ta përmbledhësh si një të tërë pa i hyrë në hak harmonisë mes pjesëve.

Ai ishte dhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i papërsëritshëm, i paimitueshëm, i pashpjegueshëm dot deri në fund me mënyrën dhe për mënyrën se si arriti t’ju imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vet.

“Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat dhe pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje që nuk do të ishte veçse e mirë, ku afër tij kaloi historia” – shkruan Ismail Kadareja. Ku në 24 maj të vitit 1992 në të ashtuquajturën zgjedhje ai u vetëshpall President i Kosovës për herë të parë, pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën, por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme, atë që jeta krijon dhe lë pas, emrin dhe personalitetin. Ishte një akt donkishotesk në sytë e shumëkujt; për mua tejet i ngjashëm me aktin e shfaqjes vetmitare të gjeneralit de Gaulle, kur i vetëm dhe i përqeshur lëshoi në radio nga Londra mesazhin epokal të 6 qershorit 1944. “Pas resë aq të rëndë të gjakut dhe të lotëve tanë, ja ku shfaqet dielli i madhështisë sonë”.

Njësoj si de Gaulle, edhe Ibrahim Rugovën disa e tallën, shumëkush e injoroi, pothuajse të gjithë e nënvlerësuan, kush me zë  e kush nën zë, e të tjerë e ndoqën me një lloj keqardhjeje që është keqardhja e dikujt që në dëshpërim i jep një shans asaj që duket krejt e pamundur, por nuk besoj se ndonjë në ato fillime e kuptoi vërtetë atë që, mbase as ai vetë, nuk e shikonte si një rrugë me dalje të sigurt se të afërt jo e jo, por e ndërmori si një hap në errësirë, i shtyrë nga pamundësia për të qëndruar në vend.

“Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se në rrugë vdesin njerëzit e mi”, – shkruan Ibrahim Rugova. “Një president i zgjedhur pa pallat dhe pa komb”, – siç thotë Kadareja, një njeri vetëm dhe i vetëm, i cili mes zallamahisë që e rrethonte i dha popullit të vet një forcë të panjohur dhe pa përdorur ndonjëherë, së paku në këtë pjesë të botës ku ne jetojmë, forcën këmbëngulëse të ujit që gërryen gurin pa ngut, pa përplasje, pa zhurmë, duke ulur si Gandi përballë kohës me një besim të verbër tek aleanca me kohën dhe duke vënë një bast të pamundur të durimit në një mjedis social si ai i shqiptarëve, ku ju e dini më mirë se unë, durimi është mall i rrallë, por kur në ato kohë ishte bërë dhe sinonim i nënshtrimit.

Presidenti i shpresës në mes të shtypjes së çdo shprese kishte jetuar deri aty mes librave dhe joshjes ndaj kritikës letrare në rrethana tejet të rënda për Kosovën ku pasioni i studiuesit për dijen dhe për fjalën e shkruar, iu bë trualli ku u zhvillua përgjegjësia e intelektualit zëdhënës të popullit të vet dhe pikërisht në atë zhvillim e sipër, refuzimin estetik për të cituar titullin e njërës prej veprave të tij shkruar në 1987, ai e ktheu në një refuzim politik, i cili herë merrte formën e predikimit në shkretëtirë, herë merrte trajtën e profecisë në një horizont imagjinar shprese, herë bëhej thirrje ndërgjegjeje ndaj botës për të drejtat e Kosovës, herë dëgjohej si thirrje urtësie në veshët e opinionit në Kosovë.

“Lufta jonë është paqësore, jo e dhunshme. Ajo është e dinjitetshme” deklaronte Rugova, me një kokëfortësi çarmatosëse të një lideri krejtësisht të pazakonshëm për Ballkanin e kthyer edhe njëherë në fuçi baruti në mes të Europës, në një kohë kur ju e dini të gjithë shumë më mirë sesa kushdo tjetër kur fare pak mes atyre shumë pak syve të kthyer nga Kosova, ishin ata që arrinin ta lexonin dhimbjen e Kosovës.

Teksa kjo lagje e Europës mbytej nën renë e gjakut dhe të lotëve duke u shpartalluar nga të katër anët nga dhuna e konflikteve etnike, qasja e prijësit paqësor të Kosovës, gërryente me qetësinë e ujit gurin e ndërgjegjes së fuqive të mëdha dhe falë profilit thuajse ekstravagant të lidershipit të tij paqësor, por edhe të sharmit të posaçëm të personalitetit të tij, e vërteta e popullit të dhunuar të Kosovës nisi pak e nga pak të fillojë të shquhet si një gur për t’u çmuar në një llum padrejtësie historike.

Zëri i ulët i Ibrahim Rugovës filloi të kumbojë nga thellësia e një pusi vdekjeprurës ku po mbytej krijesa ideologjike e Jugosllavisë dhe qasja e tij zgjuarsisht e butë, por këmbëngulësisht dinjitoze përballë një armiku brutal, në një kohë egërsisht të pamëshirshme, besimi i tij i palëkundur tek arsyeja edhe në mes të shkatërrimit të luftës, e kthyen Ibrahim Rugovën në një figurë gjysmë luftarake, gjysmë profetike, herë me parzmoren e kokëfortësisë, herë me kryqin e përunjësisë, herë hero që shfaqej, herë murg që zhdukej.

Në vitet ’90, ndërsa Kosova po përballej me një nga kapitujt e saj më tragjik, ai themelon Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ulet në kolltukun e arsyes, brenda një kinemaje urrejtjeje. Një president pa pallat dhe pa komb, që falë vetëm personalitetit të tij dhe asgjëje tjetër, pritej në Shtëpinë e Bardhë, pritej në 10 Downing Street në Londër, pritej në Quirinalen në Romë, pritej në audiencë nga Papa Gjon Pali në Vatikan, duke e zgjeruar si një përrua shtratin e vet, vëmendjen ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës dhe duke ushqyer besimin e palëkundur ndaj zgjidhjes paqësore pa rënë kurrë pre’ e tundimit për t’u ngutur dhe pa u kthyer kurrë në Kosovë  nga këto takime krejt të paimagjinueshme për dikë, që faktikisht përfaqësonte dhembjen e një populli, por nuk përfaqësonte asnjë lloj shteti, asnjë lloj institucioni tjetër, ndërkohë që koka e tij  që e mbante lart kur fliste me ta, rrinte ulur këtu në Kosovë dhe gjuha e tij predikonte vetëm durim.

Udhëheqja e Rugovës gjatë asaj periudhe pati një aftësi shumë të rrallë për ta lidhur fatin e vendit të tij të panjohur me fatin e botës demokratike, për ta integruar shqetësimin ekzistencial të një province të shtypur të ish Jugosllavisë në gjeopolitikën globale, duke bërë bashkë qëllimin e lartë dhe mjetin e urtësisë dhe duke e kthyer në kapital çdo hap të gabuar të rivalëve dhe të armiqve, si dhe duke i dhënë Kosovës të vetmen pasuri natyrore të mundshme, miqtë e saj ndërkombëtarë.

Në 16 dhjetor 1998 në selinë e Parlamentit Europian, Rugova u nderua me çmimin “Saharov’’ për të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit dhe la në librin e fjalimeve të asaj salle një adresim që sot pas 26 e kusur vitesh, është dhe më aktual se ditën kur u mbajt nga prijësi i rezistencës paqësore.

“Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet, me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë. Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të Europës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje dhe me Serbinë. Pavarësia e Kosovës do të përbëjë një faktor stabilizues në rajon. Shpresoj dhe uroj që Kosova një ditë do te ketë një vend në këtë institucion të nderuar të Parlamentit Evropian, – siç thoshte mësuesi im i dashur Roland Bart, “politika fillon me në dëshirë dhe pastaj ajo dëshirë kthehet në veprim.””

Kështu fliste Ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, i bindur se në arenën e lojës së madhe politike kalorësit e idealeve duhet të zbresin në tokën e llogarive strategjike. Se aleatët dhe arbritrat e jashtëm kanë po aq rëndësi sa vullneti politik i brendshëm, se dogmatizmi dhe kryeneçësia provinciale herët apo vonë kthehen në një  ndëshkim shumë të kushtueshëm për popujt e udhëhequr me arsyen e pasionit dhe jo me pasionin e arsyes.

“Ne jemi për një zgjidhje paqësore të problemit të Kosovës” – shprehej ai dhe nënvizonte, “në bashkëpunim të plotë me miqtë ndërkombëtarë dhe duke respektuar ligjet ndërkombëtare”.

Ai jo vetëm nuk gabonte, por në përvojën e tij që e krijonte përmes këtyre adresimeve linte dhe një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm dhe pikërisht nga këmbëngulja gërryese e përroit që rrodhi urtësisht, u bë e mundur dhe hapja e shtratit ku mori jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sot është më e qartë se kurrë se pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte patur Ushtri Çlirimtare të Kosovës sepse pa luftën që ai filloi në paqe, nuk do të ishte arritur kurrë paqja e fituar me luftë, se pa miqtë e mëdhenj që Ibrahim Rugova ia bëri Kosovës, pushkët e UÇK-së nuk do të jehonin dot mbi Beograd përmes bombave të NATO-s. Ndërsa kohët që paqja të kërkonte luftën, që lufta të mundësonte paqen, mund të mos kishin ardhur kurrë.

Me fjalët “i vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i të gjithë shqiptarëve në rajon’’ dhe me strategjinë e tij të paqes për të fituar luftën, Ibrahim Rugova dëshmoi se e para; besnikëria ndaj parimeve është mbytëse pa largpamësinë dhe e dyta; paqes së plotë i duhet diçka esenciale më shumë sesa fitorja e luftës me armë, i duhet shikimi i të shkuarës me sytë e të ardhmes dhe jo shikimi i të ardhmes me sytë e të shkuarës.

Dhe është shumë për të qarë hallin sot, që pas kaq shumë vitesh duket sikur Ibrahim Rugova mbetet i vetmi në këtë shtet që e dinte se të kesh paqe të plotë, nuk do të thotë thjesht të arrish në mungesë konflikti, por të vendosësh një drejtësi afatgjatë brenda dhe përtej kufijve. Por Rugova kishte kuptuar – dhe e gjithë rruga e tij e rrezaton këtë, – edhe një të vërtetë që shumëkush sot e gëlltit me vështirësi ose e refuzon fare që ta gëlltisë, të vërtetën se për të realizuar një drejtësi afatgjatë, asnjë popull nuk është i vetëmjaftueshëm, nuk vlen asnjë lekë bindja e atyre që na ndjekin me fanatizëm nëse nuk arrin të bindim edhe kundërshtarin.

Udhëheqja e vërtetë në kërkim të paqes së plotë matet jo nga aftësia për të ngritur gur pas guri, kulla ngujimesh kinse parimore, por nga mjeshtëria për të ndërtuar metër pas metri kullat e bashkëpunimit dhe ëndrra për t’i patur që të gjitha menjëherë përmes një fitoreje absolute jo rrallë shndërrohet në makthin e humbjes së shumëçkaje për breza të tërë.

E në këtë pikë, mësimi i Ibrahim Rugovës është i jashtëzakonshëm. Është mësimi i madh për të gjithë ne sepse na kujton që sado të mëdhenj dhe sado të mbështetur të jemi nga njerëzit tanë, mbetemi një popull i vogël në dy shtete të vegjël që siç thoni ju në Kosovë: “nuk kemi qare pa miqtë dhe aleatët e mëdhenj”.

Ndikimi i Rugovës nuk ishte i kufizuar vetëm nga arritjet politike ai ishte një ikonë kulturore që mbështeste ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur. Të gjithë miqtë e afërt të tij më të cilët unë kam pasur mundësinë të bisedoj, por dhe nga takimi me të në shtëpinë e tij, është shumë e qartë që ai kishte një adhurim pa kushte për Shqipërinë dhe ua njihte mirë shqiptarëve si vuajtjet dhe krenarinë, si ndjeshmërinë dhe besnikërinë. Dhe edhe në momentet më të vështirë për Kosovën ai ngulte këmbë që Shqipëria të mbahej parasysh duke e kuptuar si askush tjetër se dallimet politike mes dy shteteve janë një gjë dhe fatet të përbashkëta të një kombi janë një gjë krejt tjetër.

Duke qenë se ai vinte nga shtrati i kulturës, ishte një lexues i shpirtit të kombit që e kuptonte dhe nga brenda se shpirti i kombit qëndron mbi kulturën, mbi gjuhën, mbi traditat e veta, por dhe këto i thotë ai, edhe në ndërthurjen dhe në pikëtakimet me kulturat e tjera, çka i jepte vizionit të tij për një Kosovë multi etnike dhe demokratike, një dimension krejt progresiv dhe befasues për kohën dhe njëkohësisht një përmasë europiane të atij dimensioni që sot edhe në Europë duket se po bëhet gjithmonë e më shumë uji i pakët.

Ai ishte i bindur se dialogu ndërkulturor i shërbente themelit të përbashkët të një shoqërie të ngritur jo mbi mërite e së shkuarës, por mbi projektet e të ardhmes. Ai thoshte, “jemi  europianë, besojmë në Zot dhe në demokracinë perëndimore” dhe kështu i ftonte brezat e rinj të mendojnë dhe të veprojnë si qytetar të ardhshëm të një kontinenti gjithnjë e më të integruar përmes vlerave të demokracie dhe jo i  pengjet e një mallkimi historik që ripërtërihet duke pirë helmin e ndasive të kaluara.

Ai e dinte shumë mirë që pas gjak humbjes vjen paqja dhe s’ka sesi të ndodhë ndryshe, por madhështia e tij qëndron në faktin se ai paqen e plotë nuk e shihte si poshtërim të të mundurve, por si ngadhënjim të së porsalindurve.

Miqtë e tij të afërt më kanë thënë se gjatë sëmundjes ai kishte vetëm një pishman përballë vdekjes që i afrohej, të cilën nuk e shihte fare si problem, në kuptimin se ndjehej një njeri në dispozicion të jetës me humanizmin e tij, por në të njëjtën kohë edhe qartësisht i penguar se “nuk ia qitën pikën jashtë”, – thoshte për njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës.

Ajo pikë tashmë ka dalë jashtë, ka dalë jashtë në mënyrë të pakthyeshme por sfida e ndërtimit të paqes së plotë rugoviane mbetet një sfidë e hapur, aq më tepër në një kontekst të ri gjeopolitik për të gjithë Europën.

Sot popujt e Ballkanit kanë një moment shansi historik në një kontekst rreziku historik. Shansin që të çojnë përpara një projekt dialogu dhe orientimi drejt të ardhmes, secili gur i rëndë në vend të vetë dhe në këtë pikë Kosova është një gur i rëndë në vend të vetë, që askush nuk mund ta luajë nga vendi, por është dhe një gur i rënde në vend të vetë që duhet të zërë vend mes të gjithë gurëve të bashkësisë ndërkombëtare duke formësuar plotësisht subjektivitetin e vetë ndërkombëtar ose pastaj të hyjmë në rrugën që çon mbrapa dhe që dihet shumë mirë se çfarë pasojash ka në këtë zonë të Europës, ku Rugova ishte kaq i vetëdijshëm e prandaj dhe kaq i motivuar, kaq i mobilizuar, kaq i përkushtuar për të shmangur me çdo kusht të dytën, duke frymëzuar të parën edhe në kohën kur siç thotë Kadareja, ishte një president pa pallat dhe pa komb.

E për ta realizuar këtë mision si një shans të kohës, ne do ta sjellim Europën në Ballkan, shumë më parë se sa të çojmë Ballkanin në Europë, dhe për këtë s’ka burim më frymëzues nga aktualiteti shqiptar i pas rënies së diktaturës në Shqipëri dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pavarësinë e Kosovës, se sa vepra dhe jeta e Ibrahim Rugovës. Presidenti D’Alema, Monsignor Paglia folën këtu si miq të Ibrahim Rugovës, por ata nuk folën mirë me superlativa për Ibrahim Rugovën, sepse ishte miku i tyre, por Ibrahim Rugova ishte miku i tyre sepse ishte dikush për të cilin ata mund të flasin sot me superlativa. E në këtë këtë sens ai është një model, është pikë referimi është një lider historik, sa i asaj bote, edhe i botës së re që duam të kemi këtu në këtë lagje të Europës, po edhe një qytetar model i një kontinenti të përbashkët, një simbol i një krenarie jo fodulle, i një urtësie të aktivizimit jo demagogjik, i besimit te vetja si tolerancë ndaj të njerëzve dhe shpresës që ushqen mirëkuptimin dhe aty ku mirëkuptimi duket i pamundur dhe i largohet konfliktit dhe aty ku konflikti duke i pashmangshëm. Dhe teksa kujtojmë sot sakrificat e hidhura, por dhe arritjet kolosale të një Kosove që pa përkushtimin, qëndresën dhe forcën e shembullit të Ibrahim Rugovës, me siguri sot mund të mos ekzistonte, mënyra e mirë për të nderuar trashëgiminë e tij është zotimi për të forcuar urat e domosdoshme që na lidhin me të tjerët, duke i besuar pasionit të arsyes dhe jo arsyes së pasonit në mënyrë që ë fitojmë paqen e plotë dhe të mos humbasin edhe paqen që kemi.

* * *

-Si është Kosova sot në sytë tuaj? Kaq, e di që je konciz, i shkurtë ndaj dhe pyetjen po e bëj të tillë.

Kryeministri Edi Rama: Kjo s’është pyetje, ky është kurth! Unë dua të shtoj vetëm diçka duke qenë se diskutimi në panel është më si të thuash në formë bisede, po dua të qëndroj të Ibrahim Rugova.

Koha më e suksesshme e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si një subjekt edhe pse jo ende i njohur nga shumë shtete, si një shtet i pavarur, por si një subjekt në tryezë ka qenë koha e të ashtuquajturit ekip i unitetit. Dhe Ibrahim Rugova duke e parë me sytë e të sotmes, – sepse e thashë edhe më parë që është një figurë që sa më shumë kalon koha, aq më shumë bëhet e madhe dhe duket e paarritshme, – nuk e shfrytëzoi personalitetin e tij ndërkombëtar, faktin që ishte njeriu, të cilit i hapeshin dyert si person, edhe kur për Kosovën ata që e prisnin, e dëgjonin për herë të parë ndoshta për të bërë politike të brendshme me politikën e jashtme.

Përkundrazi, në mënyrë shumë modeste u ul si një anëtar i një ekipi uniteti ku të gjithë ishin të barabartë dhe ajo ka qenë koha kur Kosova ka arritur suksesin e saj diplomatik dhe ka arritur ta mundi Serbinë në tavolinë.

Sot, ne jemi në një proces ku thellohet gjithnjë e më shumë dhe në një formë gjithmonë e më shqetësuese, qasja ndaj politikës së jashtme, si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu. Kjo, patjetër që mund të ketë sukses elektoral, po kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar dhe në këndvështrimin tim, – meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, – nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë “macja me miun” në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Europian duke thwnw “ne nuk duam të flasim më me Serbinë se nuk kemi më çfarë flasim, ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Europian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të standardeve të Bashkimit Europian dhe për t’u afruar me ju. Pastaj, se çfarë bën Serbia është puna e Serbisë, shkoni e merruni me Serbinë”, po ky konfrontimi “macja me miun” në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dale pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme kuptohet, këto nuk të çojnë asgjëkund dhe unë nuk e kuptoj dhe nuk kam për ta kuptuar asnjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës dhe çfarë lidhje ka çdo detyrim që ka Kosova, jo në raport me Serbinë, por në raport me vetveten, në raport me standardet e një vendi që kërkon të hyjë në NATO, kërkon të hyjë në Bashkimin Europian me se  çfarë bën e çfarë s’bën, e çfarë i pëlqen e çfarë s’i pëlqen Serbisë.

Serbia mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën, por kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën ku të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar bashkë me të tjerët në komunitetin e shteteve dhe unë jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi, kjo gjë është e arritshme, jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme por edhe ku në një farë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme. E thashë dhe më parë, ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla, ne nuk jemi kërthiza e  botës dhe sa herë kemi menduar që jemi kërthiza e botës, e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si “trimi i mirë me shokë shumë” dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe investimin e shumë të tjerëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe miqve tanë ndërkombëtarë në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur. Kështu që në këtë sens për t’iu përgjigjur pyetjes se si e shoh Kosovën sot, Kosova është shumë e bukur, Kosova  i ka të gjitha mundësitë dhe Kosova nuk ka pse të humbë kohë, duke vrapuar rreth vetes vet.

I ka të gjitha ato që i duhen, i ka të gjithë partnerët aleatët miqtw që i duhen, i ka të gjitha resurset e veta të mjaftueshme, ka talente, ka njerëz, ka energji, ka forcë, ka të gjitha; thjesht dhe vetëm Kosova duhet – kemi një shprehje ne në Shqipëri, nuk e di a e keni këtu, kur thonë ‘’duhet t’i tregojë targën’’, domethënë kur ikën makina përpara, se këtu flitet shumë për targa, – duhet t’i tregojë targën Serbisë dhe të ikë përpara dhe Serbia pastaj të bëjë çfarë të dojë se në fund të fundit nuk mund të mbahet fati i Kosovës lidhur me interesat apo me pafuqinë e Serbisë për t’u përballur deri në fund me të shkuarën e vet.

Ama një realitet demokratik, vibrant, i paqtë, një realitet që i përgjigjet vizionit të Ibrahim Rugovës në të përditshmen e Kosovës, do të ketë të gjithë energjinë pozitive për ta bërë të pamundur për më tutje, marrjen peng nga Serbia, ndërkohë që Kosova ka fituar luftën dhe që paqen e plotë mund ta arrijë, jo me mjetet e luftës po me facebook, por me mjetet demokratike evropiane.