Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi po raporton në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut lidhur me aktivitetin e këtij komisioni për vitin 2023, që përkon dhe me mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Celibashi vuri theksin tek nevoja e ndryshimeve në kodin zgjedhor, madje këmbëngul që grupi i dialogut apo dhe një grup tjetër i ngritur ad- hock të vijojë punën për realizimin e reformës edhe nëse këto nuk mund të implementohen në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.
“Pas 2025 do të ketë zgjedhje, pse jo të diskutojmë për të gjitha çështjet e problematikat. Edhe nëse nuk kanë efekt në 2025. Efektet le ti prodhojë pas zgjedhjeve të 2025, dhe zgjedhjeve të radhës. E kuptoj që shkakton ilaritet por nuk është pa sens dhe shumë e arsyetuar. Do të ishte e udhës që kjo strukturë, apo një strukturë tjetë ad hoc të krijohet për të punuar për të bërë vërtetë një reformë zgjedhore të vërtetë” tha Celibashi.
Sa i përket procesit të dekriminalizimit, Celibashi u shpreh se, “KQZ dërgoi për verifikim të thelluar 44 kandidatë në Prokurorinë e Përgjithshme, nga të cilët 11 kandidatë për kryetarë bashkisë dhe 33 kandidatë për anëtarë të këshillave bashkiakë. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme janë dërguar 11 vendime deri tani”.
Në lidhjet me procedimet penale, Celibashi tha se, “SPAK ka regjistruar në total 37 procedime penale për 12 persona të cilët gjenden nën hetim për krime zgjedhore. Janë dërguar në gjykatë me kërkesën për gjykim për 5 procedime penale me 11 persona, ndërsa në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm janë nën hetim aktualisht 5 persona. Kanë qenë në total 21 procedime penale, të cilat janë në juridiksionin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm. Janë 60 raste, të evidentuara nga Policia e Shtetit, të cilat janë referuar në organet e hetimit penal”.