Në Shqipëri  është prodhuar makina e parë ushtarake e blinduar

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga automjeti i parë ushtarak i blinduar i prodhuar në Shqipëri.

Rama shprehet se “Shota’, automjeti i parë ushtarak “Made in Albania”, i projektuar në Shqipëri, përmbush standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Mirëmëngjesi dhe me “shotën”, automjetin e parë ushtarak të blinduar ‘Made in Albania’, një prodhim i ri i çikës sonë bulqizake Arjeta Puca dhe ekipit të saj fantastik të gocave profesioniste, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Automjeti është i pajisur me teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë.

Kompania prodhuese ka theksuar se “Shota” është vetëm fillimi i një serie inovacionesh të reja në sektorin e mbrojtjes, me qëllimin për të fuqizuar industrinë ushtarake shqiptare dhe për të krijuar në vend mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi profesional për të rinjtë dhe gratë.