Pasi Apeli i dha vulën Sali Berishës, ambasada e SHBA në Tiranë në një Reagim publik thotë se pozicioni i tyre për personat e shpallur non grata nga DASH nuk ndryshon. E prerë tregohet SHBA duke bërë edhe njëherë të qartë se nuk ka asnjë bashkëpunim me personat e futur në listën e zezë të Amerikës.

Madje, një mesazh SHBA e ka për të gjithë bashkëpunëtorët e Berishës, duke u bërë të qartë se duhet të kenë kujdes se si punojnë me një person non grata.

“Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”, thuhet në reagimin e ambasades

SHBA thotë se angazhohen për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë, sundimin e ligjit dhe luftën kundërkorrupsionit.

“Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në reagim.

Reagimi i ambasadës vjen pasi Gjykata e Apelit i kaloi vulën e Partisë Demokratike, Sali Berishës. Ish-kryeministri u shpall non grata në SHBA në maj të 2021 për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, ndërsa po për korrupsion ai u shpall non grata edhe nga Britania e Madhe më 22 korrik të vitit 2022.