Shfrytëzimi i linjës së garancisë sovrane për importin e mallrave ushqimore bazë nga importuesit ngelet i ulët edhe gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, deri në mesin e këtij viti shuma e përdorur e garancisë ishte 437 milionë lekë. Kjo shumë përbën më pak se 15% të vlerës maksimale të ofruar nga qeveria shqiptare.
Në maj të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një linjë të garancisë shtetërore me një vlerë totale prej tre miliardë lekësh për të mundësuar huadhënien për subjektet, që tregtojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë, me qëllim përballimin e krizës së çmimeve që shkaktoi sulmi i Rusisë në Ukrainë.
Qëllimi i skemës është për t’i mundësuar huamarrësit fondet e nevojshme për kapital qarkullues për të mbajtur rezerva të produkteve ushqimore për një periudhë 3-mujore, e vlerësuar në masën prej 25% të sasisë së këtyre produkteve të blerë në vitin 2021, ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit. Skema jep akses për subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore bazë, si mielli, vaji i lulediellit, sheqeri dhe orizi.
Sipas marrëveshjeve të nënshkruara, linja e garancisë sovrane u lëvrua në favor të katër bankave tregtare në vend, Banka Kombëtare Tregtare, Credins, Raiffeisen dhe OTP Albania.
Skema bazohet në thelb në ndarjen e rrezikut mes qeverisë dhe bankës kredidhënëse.
Credit /Monitor/