Mario Mitaj doli sot në konferencën për shtypin përpara Shqipëri-Kroaci – të mërkurën (15:00) në Hamburg – dueli i dytë i kuqezinjve në grupin B të Euro 2024.

Kush mund të jetë heroi shqiptar ndaj Kroacisë? Besoj se në përgjithësi të gjithë ne mund të luftojmë për të luajtur sa më mirë me Kombëtaren. Kemi lojtarë si Broja me cilësitë e tij dhe Asani me goditjet e tij. Të luajmë sa më mirë dhe ta çojmë Kombëtaren sa më lart. Mendoj se Broja mund të jetë lojtari që mund t’u bëjë dëm kroatëve.

E kemi harruar ndeshjen me Italinë, pavarësisht mërzitjes së mos marrjes së pikëve. Do të futemi në fushë me të njëjtin personalitet. Shpresoj të luajmë më mirë dhe të marrim pikë.

Nuk kam emocione kur futem në fushë, mundohem ta shijoj. Sidomos kur luajmë përpara gati 60 mijë tifozëve shqiptarë. Kisha vetëm emocione të mira, aspak stres apo emocione negative.

Kroacia? Ky është grupi i vdekjes, të gjithë kundërshtarët janë të fortë. Kroacia mund të marrë edhe vendin e parë. Të përgatitemi, të analizojmë kundërshtarin dhe të japim më të mirën në fushë.

A mund të menaxhohej më mirë avantazhi ndaj Italisë? Në pjesën e dytë më kanë furnizuar më shumë shokët me pasime. Në pjesën e parë e preka pak topin. Jam një lojtar që më pëlqen të mbaj topin në këmbë.

E ardhmja te Lazio? Tani për tani nuk mendoj për të ardhmen, e kam mendjen vetëm te Kombëtarja.

U habitëm të gjithë, na emocionoi pak goli i shpejtë ndaj Italisë, dhe u kthyem direkt në mbrojtje.

Trajneri nuk foli shumë, na tha që kemi bërë paraqitje të mirë. Gjithashtu na tha se duhet të përmirësojme goditjet standarde. Punojmë shumë, por duhet të përmirësohemi edhe më tepër.

Goli i Bastonit? Mund të jetë pak edhe faji im, por mund të jetë pak edhe faji i Seferit. Nuk duhej ta kishim lejuar as si krosim. Duhet të përmirësohemi në stërvitje, të gjithë si skuadër.

Tifozët? Besoj se do të na përkrahin fuqishëm edhe ndaj Kroacisë, por varet nga ata.

Kualifikimi? Po përgatitemi për Kroacinë. Duam të futemi në fushë dhe të luajmë futbollin tonë. Ishalla marrim rezultat pozitiv ndaj Kroacisë, më pas vjen Spanja.

Kritikat ndaj Hysajt? Nuk është bukur të kritikosh një lojtar që ka kontribuuar aq shumë për Kombëtaren. Ai ka dhënë shpirtin për Kombëtaren, nuk është kaq gjë e bukur.

I dimë cilësitë e Kroacisë, e dimë sa skuadër e fortë janë. Sot do t’i analizojmë më shumë taktikisht dhe si do të futemi ne në fushë.

Kroacia të gjithë repartet i ka të forta, besoj se mbrojtjen kanë pikën më të fortë.

Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Jemi ekip shumë harmonik, do të vazhdojmë kështu. Të vazhdojmë të shijojmë Europianin.

A ndikoi ngarkesa psikologjike ndaj Italisë? E kemi respektuar shumë kundërshtarin. Kishim dëshirë të merrnim diçka më tepër. Shpresoj të futemi në fushë me psikologji më të mirë ndaj Kroacisë, dhe të marrim diçka më tepër.

Nuk besoj se luajti shumë rol ngarkesa psikologjike, thjesht ata ishin më të mirë se ne dhe fituan ndeshjen“, përfundoi 20-vjeçari i talentuar, pjesë e Lokomotivës së Moskës në Rusi.