Ndërsa bota po përjeton rritjen e temperaturave, shkencëtarët po hulumtojnë ndikimet që ka tek njeriu. Shkencëtarët kanë ndërtuar mjedise të posaçme artificiale me nxehtësi dhe lagështirë të lartë për të parë se si organet e njeriut fillojnë dhe dëmtohen nga situata e krijuar.
Ndryshimet klimatike nga dora e njeriut kanë shkaktuar temperatura të larta këtë muaj që nga pjesa jugperëndimore e Shteteve të Bashkuara, në Meksikë dhe Amerikën Qendrore.
Organizata “World Weather Attribution” thotë se temperaturat janë rritur me rreth 1.4 gradë Celsius më shumë si rezultat i përdorimit të qymyrit, gazit natyror dhe naftës.
Vapa e madhe po i detyron të moshuarit që të qëndrojnë brenda. Temperaturat e larta përbëjnë problem edhe për fëmijët e vegjël të cilët ende nuk e kanë të zhvilluar aftësinë e rregullimit të temperaturës së trupit.
Në Universitetin Roehampton në Londër, profesori Lewis Halsey dhe studiues të tjerë po hulumtojnë se çfarë ndodh me trupin e njeriut kur përballet me lodhje nga nxehtësia e lartë.
“Shpeshtohen rrahjet e zemrës duke çuar në ndryshime delikate të ciklit. Po ashtu rritet edhe shkalla e frymëmarrjes. Qarkullimi i gjakut përqendrohet në sipërfaqen e lëkurës. Kjo është arsyeja e skuqjes së njerëzve në temperatura të larta. Kur gjaku shkon në sipërfaqen e lëkurës e humbet nxehtësinë. Pra kemi një gamë të gjerë ndryshimesh fiziologjike në trupin e njeriut si rezultat i temperaturës së lartë”, thotë profesori Lewis Halsey me Universitetin Roehampton.
Hulumtuesit futen në një dhomë të posaçme me një temperaturë konstante prej 50 gradë Celsius dhe lagështi ajri prej të paktën 25%. Ata përdorin sensorë për të matur temperaturën. Profesori Halsey thotë se reagimet e trupit të njeriut varen nga mosha, gjendja fizike dhe problemet shëndetësore.
Në varësi të kushteve klimatike, njerëzit reagojnë ndryshe si rezultat i përshtatjes në një farë mase me kalimin e kohës. Sportistët në vendet me klimë të nxehtë kanë një temperaturë të brendshme trupore mbi 40 gradë Celsius kur vrapojnë. Kjo është specifike vetëm për këtë kategori.
Profesori thotë se lagështia e madhe e ajrit shton stresin pasi trupi i njeriut nuk është në gjendje të ftohet nga djersitja. Kombinimi i temperaturës së lartë me lagështinë e madhe të ajrit mund të shkaktojë probleme shëndetësore.
“Mënyra se si trupi i njeriut e ul nxehtësinë ose ndalon rritjen e saj në një mjedis të nxehtë është djersitja. Por nëse ajri është shumë i lagësht, djersët kullojnë mbi lëkurën e trupit dhe nuk ka efekt në çlirimin e nxehtësisë së trupit”, thotë zoti Halsey.
Trupi i njeriut vuan nga stresi i shkaktuar nga nxehtësia e madhe për një periudhë të gjatë kohore. Ekspozimi i zgjatur përbën rrezik, thotë profesori, për shembull temperaturat e larta gjatë natës dhe ditës.
Temperatura e trupit të profesorit po arrin në rreth 40 gradë Celsius në dhomën e posaçme me temperaturë dhe lagështi të madhe. Temperatura 40 gradë e lart bën që organet e njeriut të fillojnë të dështojnë.
“Nëse temperatura shkon mbi 40 gradë, atëherë jemi në një zonë rreziku për disa njerëz. Ky është pragu kur trupi i njeriut fillon të përballet me probleme. Organet kanë vështirësi të funksionojnë dhe fillon dështimi i tyre”, thotë profesori Halsey.
Hulumtuesit thonë se studimet do të vazhdojnë për një kohë të gjatë për të kuptuar reagimin e trupit të njeriut kur përballet me temperaturat e larta që po shënohen në të gjithë botën.
/VOA/