Zbulimi i skandalit të ditëve të fundit në të vetmin spital publik që trajton sëmundjen e kancerit në vend, nuk ishte ‘një rrufe në qiell të hapur’. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit në për periudhën 2020-2022 për trajtimin e sëmundjeve tumorale publikuar në vitin 2023, tregon situatën e rëndë të trajtimit të pacientëve në Onkologjik në QSUT.
Që në fillim të raportit KLSH evidenton faktin se edhe pse numri i pacientëve me sëmundjet tumorale është gjithnjë e në rritje, dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në vend, duke shkaktuar 16% të tyre, buxheti për onkologjikun zë një peshë të vogël në buxhetin e QSUNT-së. 6 mijë raste të reja me sëmundje tumorale regjistrohen çdo vit në vend. Pesha në buxhet për trajtimin e sëmundjeve tumorale për vitin 2020 ka zënë 11.7%, për vitin 2021 ka zënë 7.4% dhe në vitin 2022 ka zënë 7.9% të shpenzimeve faktike totale të QSUNT.
Mungesa e pajisjeve ekzaminuese evidentohet fort në raportin e KLSH, sidomos fakti që nuk është funksionale Brakiterapia (Kyriterapi), e vetmja aperatura për trajtimin e grave me kancer të qafës së mitrës. Mungesa e kësaj pajisje ka sjellë mos trajtimin për 600 gra paciente me radioterapi, që përbën rrezik konstant për jetën e tyre. Pra, edhe pse në raportin e KLSH të një viti më parë tregohej një mungesë kaq e rëndësishme, edhe tani pas një viti ende nuk është rregulluar, sicc është konstatuar nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, që çoi në 7 masa sigurie.
Gjithashtu KLSH thotë se nga pajisjet jetëshpëtuese në Onkologjik mungojnë gjithashntu Ortovoltazhi, që ka sjellë mostrajtimin e mbi 200 pacientëve me kancer të lëkurës, të cilët nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi. Por nuk ndalen këtu mungesat e shërbimeve me aparatura. Një nga më të rëndësishmet është Pet Skaner e cila nuk ka qenë kurrë në dispozicion të pacientëve. Kjo pajisje e cila rekomandohet nga KLSH që të mundësohet urgjentisht nga Ministria e Shëndetësisë shërben për të konstatuar kancerin në trup, por edhe vijimësinë e sëmundjes, por që ende nuk është marrë asnjë masë nga autoritet, duke i detyruar pacientët të shkojnë në privat me çmime të papërballueshme.
Qendra Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” nuk ka arritur në kohë, edhe sigurimin e elementëve si Tubusat e Aparatit të Shiringës elektrike që shërbejnë për kryerjen e kontrastit intravenoz dhe që janë shumë të rëndësishme për ekzaminimin e tumorit.
Nuk janë siguruar edhe Pompa që shërben për fryrjen dhe zbrazjen e ajrit të dyshekëve me vakum që shërbejnë për pozicionime specifike dhe trajtimin e patologjive të ndryshme, përfshirë këtu dhe moshat pediatrike. Mungesë ka pasur edhe në maskat termoplastike individuale që shërbejnë për pozicionimin e pacientëve me tumore të kokë-qafës gjë që e bën trajtimin e këtyre pacientëve të saktë dhe me precizon të lartë. Mungesa e këtyre pajisjeve ka bërë që mos të ofrohen shërbime për 250 pacientë me shërbim radioterapi në Spitalin Onkologjik.
Por përveç këtyre shërbimeve specifike, në spitalin onkologjik thuhet në raportin e KLSH ka mungesa të stafit me burime njerëzore dhe për rrjedhojë shtohen ditët e gjata të pritjes për pacientët, duke ulur efektivitetin e shërbimit të trajtimit si dhe duke shtuar kostot financiare të pacientëve dhe familjarëve.
Gjithashtu në ambientin e kimioterapisë ka vetëm 19 poltrona, ndonëse gjatë ditës trajtohen 75-80 pacientë nga të cilët gjithsecili duhet të rritë 3 deri në 4 orë.
KLSH konkludon se Onkologjiku e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi në spital për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë, pasi shërbimi me radioterapi është i centralizuar. Në total janë trajtuar të hospitalizuar vetëm 9% të pacientëve, ndërsa 91% të pacientëve kanë marrë trajtimin e seancave të radioterapisë jo të hospitalizuar. Pranë Spitalit Onkologjik, nuk është ngritur dhe vënë në funksion as njësia e kujdesit paliativ për të bërë të mundur trajtimin e të sëmurëve paliativ me kancer në stadin terminal.
Më absurde në raport konstatohet edhe mungesa e shërbimeve bazë, si sistemi i kondicionimit, dhomat e pacientëve të katit të III kanë prani të lagështirës si dhe kati nëntokë i godinës së është jo funksional i cili aktualisht shërben si vend grumbullimi për pajisjet e amortizuara. Edhe niveli i papastërtisë në katin nëntokë është mjaft i lartë dhe përbën risk potencial për infektime.
KLSH vë në dukje në raport se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dështuar që të ketë raporte monitorimi dhe vlerësimi për ecurinë e kancerit për vitet 2021-2022 dhe realizojë Regjistrin Kombëtar të Kancerit. Të spitali Onkologjik në QSUT për mijëra pacientë që kërkon shërbimin jetësor ka vetëm 79 shtretër, 24 mjekë onkologë dhe 33 infermierë.